Lirohet ish-deputeti Mark Frroku dhe 7 personat e tjerë të arrestuar pasditen e së dielës. Prokuroria e Durrësit kërkoi masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit gjatë konfliktit te “Kepi i Rodonit” në Durrës.
Mark Frroku akuzohet për 4 vepra penale; “kanosje”, “mos kallzimi i krimit”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “prishje e rendit dhe qetësisë publike”.
“Ishim në vendin e punës. Konform të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi. Ata që erdhën na sulmuan, ne ishim në vendin e punës” tha Frroku, pasi doli nga qelia.
Arrest me burg në mungesë u dha vetëm për shtetasin Besnik Toma, kushëririn e ish-deputetit, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.
Konflikti ndodhi mes përfaqësuesve të kishës dhe banorëve të zonës në lidhje me një pronë mbi të cilën të dyja palët zotërojnë certifikatë pronësie.