Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë sërish drejt Lindjes së Mesme të premten, ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon. Ekspertët nga ana tjetër, po përpiqen të kuptojnë nëse itinerari i zotit Blinken, do të përfshijë edhe një ndalesë në Turqi.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka dënuar Izraelin dhe e ka cilësuar Hamasin një “grup çlirimtar”, një pozicion që bie ndesh me pikëpamjet e Uashingtonit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.
Ndërsa lufta mes Izraelit dhe grupit militant Hamas vazhdon, Sekretari i Shtetit Antony Blinken u nis këtë të enjte drejt Izraelit, pas dy ndalesash në këtë vend, vetëm disa ditë pas sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit, të ndërmarrë nga Hamasi, ndaj civilëve izraelitë.
Të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller, u pyet mbi objektivat kryesore të udhëtimit të zotit Blinken.
“Sekretari Blinken do të udhëtojë për në Izrael dhe Jordani të premten. Ai do të takohet me Kryeministrin Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë të qeverisë izraelite, për t’u përditësuar me objektivat e tyre ushtarake dhe planet që kanë për përmbushjen e tyre.
Zoti Blinken do të përsërisë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare si dhe do të diskutojë mbi nevojën për të marrë të gjitha masat paraprake, për të minimizuar numrin e viktimave civile, si dhe për të ofruar ndihmë humanitare“.
I pyetur nëse pjesë e axhendës së Sekretarit Blinken do të ishte dhe një ndalesë në Turqi, zoti Miller tha se dy ndalesat e vetme të konfirmuara, ishin Izraeli dhe Jordania.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u është bashkuar vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, që kanë dënuar Izraelin lidhur me sulmet e tij në Rripin e Gazës.