Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua debat i ashpër të premten deri vonë për ҫështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me akuza dhe kundër akuza të partive opozitare dhe atyre në pushtet. Gjatë një raportimi në Kuvend, për herë të parë që nga takimi i fundit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se projekt statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomatët evropianë dhe amerikanë, e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimentuar siç tha në marrëveshjet e mëhershme të vitit 2013 dhe 2015.
Kurti: Drafti i fundit perëndimor për Asociacionin “qartazi nuk është ‘Zajednicë’”
Kryeministri raportoi rreth takimeve të një jave me parë në Bruksel, me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni. “Në gjykimin tim politik drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues apo minues për Republikën, në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha kryeministri Kurti, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës që ai e ka pranuar “Zajednicën”, siҫ parapëlqente Kurti ta quante kur ishte në opozitë, marrëveshjen për Asociacionin të vitit 2013.
Sipas Kurtit drafti i fundit perëndimor për Asociacionin “qartazi nuk është ‘Zajednicë’ ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, sepse siҫ thotë Kurti, “asisoj do të ishte edhe e padiskutueshme”.
Dy javë më parë pesë të dërguarit perëndimorë u dorëzuan autoriteteve të Kosovës dhe Serbise një dokument për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Draft-statuti i Asociacionit nuk është bërë publik, me rekomandim perendimor, që palët po e respektojnë. Ajo që tashmë dihet është, se drafti përmban edhe propozimin e statutit të Asociacionit. Kryeministri Kurti tha se, sipas projekt statutit “çfarëdo ndryshimi i tij bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal të Republikës dhe vetëm pasi të ketë dhënë aktgjykim lejues Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”.