-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Banjska, shpërngulja e shqiptarëve në Turqi dhe ardhja e serbëve

Kryesoret

Fshati Banjskë sipas sallnamesë (vjetarit) së Vilajetit të Kosovës të vitit 1900 kishte 50-60 shtëpi, me afro 400-480 banorë shqiptarë myslimanë, një xhami, një shkollë, disa dyqane e kahvehane dhe një banjë me gjatësi 10 metra dhe me gjerësi 6 metra.

Qiraja qe merrej prej banjës në shumën pret 800 groshë, shkonte për mirëmbajtjen e xhamisë dhe të shkollës. Gjithashtu, brenda kalasë së rrënuar kishte ca shtëpi, një orëmatëse me tingull dhe një xhami të vogël, të pameremetuar të shndërruar nga kisha. Vetëm pas pushtimit serb të Kosovës në vitin 1912 Banjska filloi të popullohet nga serbët.

Banjska për shkak të pozitës së vet gjeografike, si vend nëpër të cilin kanë kaluar rrugë të rëndësishme të qarkullimit të njerëzve e të karavaneve tregtare nga Kosova e sotme në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës e tutje dhe anasjelltas, por edhe për shkak të burimit të ujërave termominerale, ka qenë një lokalitet i banuar, të paktën, nga antika e këndej. Andaj edhe popullsia e parë sedentare e këtij lokalitati ka qenë ilire-dardane.

Që nga fillimi i shtrirjes së krishterimit në këto anë, aty është ngritur një objekt kulti i krishterë, i cili objekt me alternimin e pushteteve kishtare të Perëndimit dhe të Lindjes, ka ndërruar dhe ka përshtatur edhe identitetin e ritit.

Me pushtimin e këtyre anëve nga despotët nemanjidas, ata përvetësuan edhe disa faltore të kultit katolik dhe sidomos faltore të kultit ortodoks të ngritura nga sundimtarë bullgarë. Një shembull të dokumentuar e kemi me Kishën e Shën Premtes në Prizren, e cila sipas mbishkrimit osman, që gjendet i skalitur në muret e saj, është ngritur në vitin 854.

Narracioni i historiografisë serbe

Narracioni që ka krijuar historiografia serbe për kishat dhe manastiret e ritit ortodoks në Kosovë sidomos, por edhe për ato në viset shqiptare përreth, është mbështjellë me një vel mjegullimi e sajese hipotetike aq sa është vështirë të dallohet e vërteta shkencore nga sajesa imagjinare e shpifur.

Për manastirin e Banjskës historiografia serbe thotë se e ka ngritur kral Millutini nga viti 1312/13 deri në vitin 1316/17 dhe se ai aty qenka varrosur. Por pas Betejës së Kosovës në vitin 1389 eshtrat e tij u zhvarrosen dhe u bartën në Trepçë e më vonë, kah mesi i shekullit XV përfunduan në Sofje.

Me gjasë, pas Betejës së Kosovës, bashkë me eshtrat e kral Millutinit nga Banjska u shpërngulën edhe klerikët e murgjit serb si dhe popullsia serbe e Banjskës. Udhëpërshkruesi Benedikt Kuripeshiq në vitin 1530, Banjskën dhe manastirin e saj i ka gjetur të rrënuara. Meqë në rrënojat e këtij manastiri strehoheshin keqbërës, hajdutë e kriminelë që kishin rënë ndesh me ligjin, sulltani për ta pamundësuar këtë, kishte urdhëruar që rrënojat e këtij manastiri të shembeshin.

Më 1571 asnjë pop, kallogjer apo prift

Sipas regjistrimit të hollësishëm (mufassal defteri) të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571 fshati Banjskë i takonte nahisë së Zhezhnës, brenda sanxhakut të përmendur. Në këtë kohë, sipas këtij defteri, fshati Banjskë gjendej në një vend të zbrazët e të rrënuar, rrëzë malit të frikshëm e të rrezikshëm të Rogoznës, mal ky që shtrihet në drejtim të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Zvornikut.

Fshati Banjskë, asokohe me 11 shtëpi, ishte konak i udhëtarëve dhe i karavaneve tregtare që vinin nga anë të ndryshme, ndërsa banorët e tij i pritnin dhe kujdeseshin për ta. Mu për këtë arsye banorët e këtij fshati me berat (dekret) të sulltanit kishin fituar statusin e derbentxhinjve, respektivisht statusin e njëzve që ruanin dhe siguronin ngushticat nëpër të cilat qarkullonin njerëz dhe mallra.

Për këtë detyrë që kryenin burrat e Banjskës, nga pushteti osman konsideroheshin rajë e privilegjuar, rrjedhimisht ata gëzonin lehtësira të konsiderueshme tatimore nga shteti osman. Është me rëndësi të theksohet se nga 11 kryefamiljarët e Banjskës të regjistruar në vitin 1571 nuk figuron asnjë pop, kallogjer apo prift, gjë që vërteton se aty në këtë kohë nuk ka pasur kishë apo manastir.

Edhe pse homonimet dhe patronimet e të regjistruarve të këtij fshati janë të proveniencës sllave ortodokse, kjo nuk tregon se ata doemos ishin të përkatësisë etnike sllave. Në anën tjetër, islamizimi i tërësishëm i banorëve të Banjskës, vite më vonë, konfirmon se ata në gjysmën e dytë të shekullit XVI ishin shqiptarë.

Kryeplumbtari, themeluesi i kasabasë së Banjskës

Banjska deri në vitin 1619 ishte fshat derbentxhinjësh, ndërsa pas këtij viti, falë themelatave të përshpirtshme (vakëfeve) që ngriti shqiptari i këtyre anëve Mastafa pashë Kurshumxhibashizade (Kryeplumbtari), Banjska fitoi statusin e kasabasë (qytezës). Kush ishte themeluesi i kasabasë së Banjskës, Mustafa pashë “Kryeplumbtari”?

Themeluesi i kasabasë së Banjskës Mustafa pasha, në burimet osmane paraqitet i mbiemëruar si Kurshumxhibashizade dhe si Kurshumxhizade (Plumbtari). Ai ishte shqiptar nga shtresa e bejlerëve që arriti postin e valiut (beglerbegut). Përkatësinë e tij etnike shqiptare e konfirmon biografi i njohur turk Mehmet Syreja.

Nga mbiemri i tij nënkuptohet se Mustafa pasha rrjedh nga një familje minatorësh. Gjyshi i tij do të ketë qenë kryeplumtarë në ndonjërën nga minierat afër Banjskës, kështu që edhe mbiemri i tij është i karakterizuar sipas profesionit, respektivisht, sipas hierarkisë profesionale të minatorëve ku bënte pjesë gjyshi i tij.

Mustafa pasha ka arritur në pozitën e valiut të Bosnjës pesë herë. Herën e parë u emërua në këtë pozitë në vitin 1608, duke e marrë atë nga bashkëkombësi i tij Sofi Sinan pasha, i lindur në fshatin Vilë të Lumës, brenda sanxhakut të Prizrenit. Herën e dytë në këtë pozitë qëndroi rreth një viti (1610-11).

Herën e tretë erdhi në vitin 1618 dhe qëndroi më pak se dy vjet. Herën e katërt pozitën e valiut të Bosnjës e mbajti gjatë viteve 1626-27, ndërsa në vitin 1632 duke qenë vali i Bosnjës, me ferman të sulltanit u nis në luftën e Bagdadit, ku dhe u vra në vitin 1636. Biografët e përshkruajnë si burrë trim dhe të qëndrueshëm.

Kalaja, xhamia me gurët e manastirit

Mustafa pasha në Banjskë ngriti një kala katërkëndëshe me gurë. Brenda kalasë ngriti një xhami të vogël, me gurët e manastirit të rrënuar. Po brenda mureve të kalasë ngriti konakun për dizdarin (komandantin) e kalasë, kazermën për ushtarët e kalasë, deponë e drithit, deponë e municionit dhe sallën e bandës muzikore (mehterhane).

Ndërsa jashë mureve të kalasë, ai ngriti një xhami të bukur e të madhe, një han, disa dyqane, si dhe disa pishina të banjës termominerale. Këto themelata të ngritura nga Mustafa pashë “Kryeplumbtari” i hapën rrugë zhvillimi mjaft të shpejtë kasabasë së Banjskës.

Në vitin 1660 kur udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebiu e vizitoi dhe e përshkroi këtë kasaba, ajo jashtë mureve të kalasë numëronte afro 300 shtëpi, të mbuluara me tjegulla e me kopshte të vogla, në të cilat jetonin rreth 2400 banorë. Brenda kalasë banonin afro 50 ushtarë me komandantin e tyre (dizdarin). Ata kishin në dispozicion disa topa dhe një depo municioni. Banda muzikore ushtarake e kësaj kalaje, dëgjohej shpeshherë.

Vlen të theksohet se rruga që kalonte nëpër ngushticën e malit Rogozna në drejtim të Bosnjës, Hercegovinës dhe Zvornikut, herë pas here atakohej nga grupe hajdutësh e banditësh, të cilët plaçkitnin karavanet dhe vrisnin ndonjë udhëtar. Kjo ka imponuar nevojën e pranisë së një numri të caktuar ushtarësh, të armatosur madje edhe me një numër topash, në kalanë e Banjskës.

Ndërprerja e hovit më 1689

Zhvillimin relativisht të shpejtë të kasabasë së Banjskës e ndërpreu lufta habsburge-osmane, respektivisht lufta ndërmjet “Aleancës së Shenjtë” dhe Perandorisë Osmane, e cila gjatë tremujorit të fundit të vitit 1689 përfshiu Kosovën e sotme dhe viset etnike shqiptare përreth. Pas depërtimit të ushtrisë habsburge në Prishtinë, më 23 tetor të vitit 1689 gjeneral Pikolomini në krye të ushtrisë u nis drejt Shkupit, ndërsa kolonelin Shtraser me tre batalione ushtarësh e urdhëroi të nisej për të pushtuar Mitrovicën, Zveçanin, Banjskën, Trepçën dhe viset tjera përreth.

Në këtë kohë Banjska sikurse edhe vendbanimet e tjera urbane dhe minierat e kësaj zone u rrënuan e u shkretuan, ndërsa popullsia shqiptare u godit tepër rëndë dhe u rrallua maksimalisht. Nga afro 300 shtëpi me rreth 2400 banorë që kishte qyteza e Banjskës para depërtimit të ushtrisë habsburge në këto anë, është dashur të kalonte mbi një shekull që Banjska në vitin 1831 të arrinte të numëronte afro 20 shtëpi me rreth 124 banorë.

Viti 1900: 50-60 shtëpi me banorë shqiptarë, xhami, shkollë, dyqane, kafehane…

Fshati Banjskë sipas sallnamesë (vjetarit) së Vilajetit të Kosovës të vitit 1900 kishte 50-60 shtëpi, me afro 400-480 banorë shqiptarë myslimanë, një xhami, një shkollë, disa dyqane e kahvehane dhe një banjë me gjatësi 10 metra dhe me gjerësi 6 metra. Qiraja qe merrej prej banjës në shumën pret 800 groshë, shkonte për mirëmbajtjen e xhamisë dhe të shkollës. Gjithashtu, brenda kalasë së rrënuar kishte ca shtëpi, një orëmatëse me tingull dhe një xhami të vogël, të pameremetuar të shndërruar nga kisha.

Vetëm pas pushtimit serb të Kosovës në vitin 1912 Banjska filloi të popullohet nga serbët. Nga dhuna e presioni sistematik serb, popullsia shqiptare e Banjskës është detyruar të shpërngulet, kryesisht në Turqi./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit