Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken mbërriti në Turqi të dielën mbrëma, në kuadër të turneut të tij diplomatik në rajon, përmes të cilit ai kërkon të parandalojë përhapjen e konfliktit të Izraelit me Hamasin në Lindjen e Mesme.
Një vizitë që në thelb ishte një “triller” diplomatik pasi deri dje nuk dihej nëse ai do të përfshinte përfundimisht Ankaranë në ndalesat e turit të tij, ndonëse pala turke, përmes agjencisë shtetërore Anadolu, e kishte paralajmëruar mbërritjen e tij që të mërkurën e kaluar.
Kreu i diplomacisë amerikane ka bërë presion për “armëpushime” humanitare për të lejuar dërgimin e ndihmave në Gaza. Megjithatë, turneu i tij i deritanishëm nuk gjeneron shumë optimizëm për një dalje nga konflikti, as për zgjidhje afatmesme të ndihmës në sektorin humanitar.
Udhëtimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit vjen në një kohë kur zemërimi si ndaj Izraelit ashtu edhe ndaj Perëndimit po zien në rrugët e Turqisë dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, si dhe në “pallatin” e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Vetë Erdogan planifikon të udhëtojë në verilindje të Turqisë të hënën, duke shmangur një takim me kryediplomatin e Uashingtonit. Bisedimet e Blinken me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan ishin problematike, edhe para se Izraeli të fillonte fushatën e tij të bombardimeve dhe zgjerimit të pushtimit tokësor për të eliminuar Hamasin.