SPAK kërkon një fond shtesë prej 750 milionë lekësh në pr/buxhetin e vitit 2024, fokusuar në investimet për ta kthyer godinën e re të SPAK në funksionale.
Kërkesa u paraqit nga vet SPAK sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, në Kuvend, ku u diskutua pr/buxheti i vitit 2024 i SPAK.
Prezantimin e projektbuxhetit në komisionin e Ligjeve, që i zhvilloi punimet online e bëri Armand Shini, Drejtor i Buxhetit pranë SPAK.
“Pr/buxheti i vitit 2024 për SPAK parashikohet 1.5 miliard lekë, kjo e ndarë në zërin paga 979 milion lekë, sigurimet shoqërore 123 milion lekë, mallra e shërbime 228 milion lekë dhe 250 milion lekë investime. Ky buxhet në fakt nuk plotëson kërkesat e paraqitura nga ana jonë. Në zërin e pagave kërkohet shuma 216 milion lekë shtesë, në zërin mallra e shërbime 24 milion lekë, tek investimet 309 milion lekë. Kontributet e shoqërore e tejkalojnë kërkesën tonë. Tek pagat ka një mangësi në financim në shumë 74 milion lekësh…,” tha ndër të tjera Shini.
Pas kësaj, ishte vetë kreu i SPAK, Altin Dumani që reagoi duke theksuar se investimi për godinën e re duhet bërë brenda vitit 2024.
“Ne përgjithësisht i gjejmë të adresuara kërkesat tona. Edhe në lidhje me zërin e investimeve duket qartë, që është vullneti për të investuar. Është bërë një ndarje, një pjesë në vitin 2024, një pjesë në vitin 2025. Do ishte e mira të na jepej fondi i duhur buxhetor, për ta kthyer funksionale godinën brenda vitit 2024. Kjo bëhet funksionale vetëm nëse kemi fondin, pasi godinën e kemi, përballë zyrave tona është shumë afër dhe vijojmë punojmë tej kapacitete dhe s’mund të plotësojmë as stafin dhe organikën e kërkuar, pasi s’kemi ku t’i fusim punonjësit tanë,” tha Dumani.