Zyrtarët e fushatës presidenciale të kandidates republikane Nikki Haley planifikojnë të shpenzojnë 10 milionë dollarë në reklama televizive, radiofonike dhe në media sociale, në shtetet e Ajouas dhe Nju Hempshërit, duke filluar nga java e parë e muajit dhjetor.
Synimi i këtij investimi masiv është që ish-ambasadorja e Kombeve të Bashkuara të krijojë avantazh ndaj Guvernatorit të Floridës Ron DeSantis në një moment kritik në betejën për të fituar emërimin zyrtar nga Partia Republikane për garën presidenciale.
Shuma e parave për fushatën në reklama, planifikuar nga zonja Haley, deri tani është pesë herë më e madhe sesa shuma e parave që po shpenzon për reklama zoti DeSantis për të njëjtën periudhë kohore, sipas kompanisë që monitoron median ‘AdImpact’.
Lëvizja e zonjës Haley vjen ndërsa ajo po bën përpjekje për t’u shfaqur si alternativë e mundshme që do të zëvendësonte ish-presidentit Donald Trump, e për të përfaqësuar republikanët kundër Presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024.
DeSantis është konkurrenti më i fortë i zonjës Haley për vendin e dytë mes kandidatëve të partisë. Por fushata e guvernatorit të Floridës ka dhënë shenja për probleme financiare pas një vere të trazuar./VOA
Artikulli i plotë këtu.