Boshnjaku i tmerrshëm i Palestinës, 18 biondinat e tij sllave, ushtarët shqiptarë dhe mposhtja e Napoleonit Në veri të Izraelit, afër kufirit me Libanin, gjendet qyteti port i Akonit. Më 1799 Akoni ishte fortifikatë osmane, të cilën tentoi ta pushtonte Napoleoni. Qëllimi i Napoleonit ishte që pas pushtimit të Egjiptit t’i fuste nën kontroll edhe Palestinën dhe Sirinë. Për të arritur këtë duhej të merrte Akonin.
Ai ishte sundimtar i tmerrshëm. Një anglez që e vizitoi në Akon, shkroi se bashkëpunëtorëve të tij u mungonte një sy, një vesh apo hunda. Xhezar Ahmet Pasha i murosi një grup të krishterësh për së gjalli. Urdhëroi ushtarët e tij të grijnë në copa 50 zyrtarë të korruptuar. Siç shkruan historiani britanik Simon Sebag Montefiore në biografinë e tij të Jerusalemit, kur Xhezar Ahmet Pasha dyshoi se po e tradhtonin gratë e haremit, ai dha urdhër të vriteshin shtatë gra të tij. Natën ai mbyllej në harem me 18 biondina sllave.
Më 18 mars 1799 Napoleon Bonaparta iu afrua Akonit, të cilin po e mbronte Xhezar Ahmet Pasha me 4000 ushtarë shqiptarë, afganë dhe maurë. Xhezar Ahmet Pashës i erdhi në ndihmë admirali anglez Sir Sidney Smith. Ai qe i entuziazmuar kur e pa shpatën e pashait, e cila ishte e stolisur me margaritarë. Napoleoni e sulmoi tri herë Akonin dhe tri herë dështoi. Më 21 maj 1799 Napoleoni u dorëzua dhe u tërhoq në Egjipt. 1200 ushtarë të tij u vranë, 2300 u sëmurën apo plagosën.
800 ushtarë të tjerë Napoleonit i mbetën të plagosur dhe sëmurë në Jafa, në Tel-Avivin e sotëm. Meqë s’donte t’i merrte me vete, urdhëroi mjekët e tij që t’i vrisnin. Ata refuzuan. Por u gjet një mjek turk që të plagosurve u dha një dozë vdekjeprurëse opiumi.
Sipas legjendës, gjatë largimit nga Akoni Napoleoni tha: “Kush e pushton Akonin, pushton botën!” dhe hodhi kapelën në det. Topat e përdorur prej tij gjenden sot në murin e kalasë së Akonit. Pas kthimit në Egjipt Napoleoni u përpoq të gënjente mbi betejën e tij. Gjenerali Kléber, i cili ishte komandant i trupave franceze në Egjipt, e mallkoi Napoleonin: “Ky maskara na la në baltë sepse i mbushi pantallonat”. Me rrenat e tij Napoleoni duket se pati sukses. Në Francë atë e pritën si hero e pushtues. Kënga “Partant pour la Syrie” u bë himn i Francës bonapartiane.
Sulltan Selimi II e emëroi Xhezar Ahmet Pashën sundimtar të Bosnjës, Egjiptit dhe Damaskut. Pas një përplasjeje me Pashën e Gazës, Xhezar Ahmet Pasha u bë prapë sundimtar i Jerusalemit dhe Palestinës. Ai kishte mbetur njeri i tmerrshëm. Këshilltarit të tij kryesor ia preu hundën, ndonëse atij i mungonte një sy dhe një vesh. Kur vdiq më 1804 Palestinën e përfshiu kaosi.
“Kush e pushton Akonin, pushton botën!” Kur i tha këto fjalë, ndoshta Nepoleonit iu kujtua viti 1291. Atë vit jo nisi jo vetëm themelimi i Zvicrës. Në fillim të vitit 1291 forca më mëdha myslimane marshuan kundër qytetit të Akonit, i cili sundohej nga kryqzatësit. Në kohën e kryqëzatave Akoni ishte port i përshtatshëm për zbarkimin e kalorësve evropianë. Akoni ra më 18 maj 1291 dhe kjo nuk ishte vetëm një humbje për të krishterët, ishte edhe fundi i ëndrrës për Mbretërinë e Jerusalemit të sunduar nga të krishterët. Forcat myslimane masakruan shumë banorë të Akonit në shenjë hakmarrjeje ndaj plojës së frankëve (banorët e Levantës kështu i quanin europianët atëbotë). Myslimanët nuk kishin harruar po ashtu se 100 vjet më parë, gjatë pushtimit të Akonit në kuadër të Kryqëzatës së Tretë, Mbreti i Anglisë Riçart Zemërluani (Richard the Lionheart) kishte urdhëruar ekzekutimin e 3000 ushtarëve të burgosur të Sulltan Saladinit të Egjiptit. Të krishterët u tërhoqën nga Toka e Shenjtë. Disa shkuan në ishullin Rodos, të tjerët ikën në trevat baltike. Kështu mori fund epoka e kryqëzatave për të ripushtuar vendet e shenjta dhe dëbuan nga aty myslimanët./ Koha.net