Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për dy ndeshjet “finale” ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Në stërvitjen e djeshme vetëm një pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga Sylvinho kanë marrë pjesë në stërvitje, më saktë vetëm 8 nga 18 lojtarët që kanë mbërritur tashmë në grumbullim.
Kjo pasi pjesa tjetër e grupit është lënë pushim nga tekniku i kombëtares për shkak të impenjimeve që kanë pasur këtë fundjavë në klubet përkatëse.
Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar në seancë stërvitore të përbashkët.
Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe së fundmi Jon Mersinaj janë bashkuar gjatë mbrëmjes me ekipin kuqezi, me lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet sot.
Sakaq, Kristjan Asllani i është nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe ka rezultuar që nuk ka probleme fizike. Gjithsesi lojtari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet t’i bashkohet shumë shpejt ekipit.
Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes për t’u nisur më pas drejt Moldavisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore.