Gazetari i njohur italian, Roberto Saviano kritikon ashpër marrëveshjen Rama-Meloni për të sjellë emigrantët në Shqipëri. Ai thotë se frenat e këtij “biznesi” do i marrë në dorë mafia shqiptare dhe në fund ata që do të vuajnë dhe torturohen janë emigrantët.
“Për momentin është vetëm një njoftim, ai i sjelljes së rreth 36 mijë emigrantëve në dy qendra paraburgimi në Shqipëri. Një i ndërtuar për menaxhimin e procedurave kufitare, pra identifikimin, origjinën, vizitat mjekësore.
Një tjetër për të qëndruar emigrantët në pritje të riatdhesimit. Por si të gjitha gjërat e tjera që ka bërë kjo qeveri, është thjesht një reklamë elektorale. E shtrenjtë, megjithatë, dhe e paguar nga taksapaguesit. Për këtë disponueshmëri, Shqipërisë do t’i jepet një shumë, vetëm paraprakisht, prej 16 milionë eurosh.
Kjo marrëveshje jo vetëm që nuk do të çojë në asgjë, por do të jetë një kosto shtesë në aspektin ekonomik dhe logjistik për Italinë. Dhe e gjithë kjo do të bëhet si zakonisht në lëkurën e emigrantëve. Kjo marrëveshje është krejtësisht e palogjikshme, e bërë me nxitim dhe në mënyrë amatore.
Dhe në fund, çfarë do të ndodhë në Shqipëri kur të nisë ky projekt? Kush mendoni se do të menaxhojë ardhjen, prokurimin, mensat, në disa raste edhe arratisjet nga këto qendra? Familjet mafioze shqiptare.
Rreziku që krimi i organizuar shqiptar të marrë pjesë në këtë operacion është shumë i lartë. Pa kontroll të drejtpërdrejtë, siç dihet, kujt do t’i shkojë financimi italian?
E pamë me Turqinë, me Tunizinë, me Libinë. Transferimi i kontrollit të kufijve tuaj nuk çon aspak në siguri më të madhe, nuk çon aspak në një kapacitet më të madh menaxhues, ai sjell vetëm tmerrin e padrejtësisë, torturës, korrupsionit” tha ai.