Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters ka shkruar për deklaratën e kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha dje në Prishtinë se Aleanca po e shqyrton shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë pas ngjarjeve të fundit.
“NATO po kërkon një shtim më të përhershëm të numrit të trupave në Ballkanin Perëndimor për t’i mbajtur nën kontroll tensionet, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,” shkruan Reuters.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut dërgoi qindra forca shtesë në Kosovë nga Britania dhe Rumania pas një beteje mes policisë dhe serbëve të armatosur të strehuar në një manastir, duke e kthyer një fshat të qetë në veri të Kosovës në një zonë lufte më 24 shtator.
“Tani po shqyrtojmë nëse duhet të kemi një shtim të përhershme për të siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë një konflikt të ri të dhunshëm në Kosovë apo në rajon më gjerë,” tha Stoltenberg në Kosovë.