Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendë për muaj të tërë. Kjo është bërë e mundur me pjesëmarrjen edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në votim.
Me 83 vota për ka kaluar Marrëveshja e financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Me 83 vota për është votuar edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW.
Me 83 vota për është votuar projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.
Me 84 vota për është votuar projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.