Gjyqtari Erjon Bani në vendimin për Ilir Beqajn për koncesionin e “Sterilizimit” theksoi se i rezulton që ka rritur me mbi 50% kostot. Kryeministri Edi Rama u pyet nëse pas kësaj qeveria do të tentojë që të negociojë me koncesionarin uljen e çmimeve.
“I pari është një opinion i akuzës, por nuk është, nuk janë opinione të akuzës të mjaftueshme që të investohet qeveria si përballë një të vërtetë absolute. Ai proces, nuk e komentoj. Sterilizimi është një nga veprat më të rëndësishme në kantierin e shëndetësisë dhe ka sjellë transformim cilësor të pamohueshëm nga askush.
Llogaritë e faturave nuk më takojnë mua t’i bëj, kontrata është një kontratë dhe në vijim sipas të dhënave më konsoliduara do të bëjmë diskutimet dhe analizat tona. Faturat nuk janë puna ime, maksimumi që mund të jap unë është të jap ndonjë opinion nëse më nxjerrin përpara ndonjë pikturë” tha ai.
I pyetur nëse reformën e re zgjedhore do ta bëjë me Lulzim Bashën apo Sali Berishën nuk i kurseu ironitë me kryetarin e vulës së PD-së dhe sqaroi se nuk do të pranojë që të bëjë ndryshime në komision duke lënë Enkelejd Alibeajn nga krahu i Bashës.
“Ku është ky (Basha), se ka kohë që nuk e di…mbase kjo pyetje ishte nga një impuls i brendshëm nga një kujtesë që më sjell gjithmonë buzëqeshje kur kujtoj këtë emër. Të thuash a do ta bësh këtë gjë me Lulzim Bashën dhe të kërkosh, se unë, se Cuci nuk e njeh aq mirë sa unë, të thotë po, të marrë një angazhim që mund të mos e mbajë, se tjetri mund të mos shfaqet.
Thelbi është ky; Partia Demokratike e bekuar kur lindi është katandisur në një histori unikale. Ka emra, ka një lidhje me emrin e PD-së, por pastaj nuk dimë se cfarë lidhje ka PD me këtë apo emër. Futen edhe flakët dhe tymi në mes dhe pastaj bëhet një mjegull që ne nuk dimë si veprohet. Por reforma zgjedhore ka patjetër rëndësinë e vet, janë disa aspekte që duhen prekur.
Kemi një komision dhe ai komision do të bëjë reformën zgjedhore. Se kush është kush aty, mbase ndonjë ditë do ta gjejnë vetë ata. Reforma kalon me 84 vota, nëse do të ketë 84 vota do të kalojë, nëse nuk do të ketë 84 vota nuk do të kalojë. Kryetari në letër dhe kryetari në zjarr, kryetari në tym, kryetari në flakë, këta janë shumë. Nuk kemi sesi i ndajmë nga njëri tjetri”.