Albin Kurti ka deklaruar sot se Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të pakushtëzuar të marrëveshjes në kuadër të dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë një takimi me ministren e Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, Kurti theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes dhe aneksit të sajë është garanti i respektimit dhe zbatimit nga ana e tyre.
Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel.
Kurti ka përsëritur se Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat.
Në takim u diskutua edhe mbi procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Kosovës në atë drejtim.
Po ashtu u fol dhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes e kulturës, krahas atij politik.