Kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, ka folur dhe për ligjin për punën e detyruar të mjekëve të rinj.
Rama e konsideroi “absurd” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se në këtë ligj nuk është shkelur asnjë e drejtë kushtetuese.
“Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave, por edhe pezullimi që i bëri GJK kërkesës absurde të studentëve është absurd. Është absurd dhe po e diskutoj sepse është pezullim. Shkolla e magjistraturës e ka kusht, mund të hysh por nuk merr dot diplomën po nuk punove 5 vjet si magjistrat. Është një nga shkollat më të mira të Shqipërisë.
Fakti është që nuk është shkelur asnjë e drejtë kushtetuese dhe nuk është vënë në diskutim” u shpreh Rama.
Më tej ai shtoi se praktika që u ndoq me studentët e mjekësisë do të zgjerohet në arsimin publik, që sipas kreut të qeverisë nuk është shumë larg kërkesave të Europës.
“Ne këtë sistem do ta zgjerojmë. Në arsimin publik që e kemi shumë të favorshëm dhe jo aq larg kërkesave të Europës, do ta zgjerojmë. Ose është varianti tjetër që i kemi dhënë studentëve, do të ikësh që nesër dhe t’i kthesh kurrizin këtij vendi? Do paguash një tarifë tjetër, do paguash atë që kushton. Është më pak se në Gjermani por prapë do paguash. Nëse do këtë tarifën tjetër do rrish maksimumi 5 vite. Dhe 5 vite është për ata që hyjnë në vit të parë. Këta që i kapi rrugës 2-3 vjet do rrinë”, u shpreh kryeministri.