Në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti mbajti një fjalim të rëndësishëm, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite dhe duke nderuar ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Sot shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një shtet i lindur nga rezistenca paqësore e nga sakrifica popullore, nga lufta çlirimtare dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur në një mbledhje historike në kuvendin e vendit tonë. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë politike, kurse Europës demokratike iu shtua një shtet i ri me orientim gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Por liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vjetësh.
Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e parreshtur ndër breza, me qëndresë të pamposhtur dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe i falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e së drejtës historike.”









