Grimcat e ndotura të ajrit shkaktuan vdekjen e 250.000 personave në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2021, bazuar në një raport të Agjencisë Evropiane për Mjedis (EEA), të publikuar më 24 nëntor.
Këto grimca ( PM2.5) shkaktohen kryesisht nga tymi që lirohet nga makinat ose termocentralet me qymyr, ato mund të dëmtojnë rëndë sistemin e frymëmarrjes, duke shtuar dhe rrezikun që njerëzit të preken nga sëmundjet e mushkërive.
“Sipas vlerësimeve të fundit të EEA-së, të paktën 253.000 vdekje në BE më 2021 u janë atribuuar ekspozimit ndaj grimcave PM2.5, që ishin të ndotura përtej nivelit të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, u tha në raportin e kësaj agjencie të BE-së.
Sipas asaj që thotë agjencia, vdekjet do të ishin shmangur nëse niveli i ndotjes do të ishte ai i rekomanduar nga OBSH.
Raporti paraqet shifra më të larta të vdekjeve krahasuar me vitin 2020, kur për shkak të ndotjes së ajri ishte vlerësuar se kishin vdekur 238.000 persona.
Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis rritja e numrit të vdekjeve mund të shpjegohet me rritjen e ekspozimit ndaj ndotësve dhe me rritjen e mortalitetit në Evropë, kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19.