Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar pronat e Leonard Cogës i cili rezulton të jetë i dënuar në Britaninë e Madhe për aktivitete të lidhura me “shtëpitë e barit”.
Sipas provave të prokurorisë, pasuritë e këtij shtetasi janë vendosur mbi burime kriminale.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në kuadër të procedimit penal nr.713, viti 2023 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit L.C, ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:
- Pasuria me nr.26/198-G.5, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan;
- Pasuria me nr.26/198-G.6, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan; dhe
- Pasuria me nr.26/198+1-26, e llojit “apartament”, zk.8525, Elbasan
Nga hetimet ka rezultuar se:
Personi nën hetim ka kryer aktivitet kriminal, (shtëpi bari) në Mbreterinë e Bashkuar, për të cilën është arrestuar dhe dënuar nga autoritetet angleze.
Personi nën hetim dhe personat e afërt me të, gjatë dhe pas kohës së kryerjes së veprimtarisë, kanë investuar në fitimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat dyshohen se kanë si burim të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit L.C.
Pasuritë e konstatuara janë dukshëm të pajustikuara nga të ardhurat e ligjshme të personave të lidhur të personit nën hetim L.C.,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.