Ka përfunduar këtë javë në Bruksel procesi i shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening”.
Lajmin e ka dhënë ministri i Jashtëm Igli Hasani, sipas të cilit, Shqipëria shënoi një tjetër hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ky proces zgjati për 14 muaj me 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian.
Që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis.
“Ky proces e sjell Shqipërinë më afër me Bashkimin Evropian dhe e bën atë më të përgatitur për fazat e mëtejshme të integrimit,” u shpreh Hasani.
Hapi i radhës është hapja e grupkapitullit të parë për çështjet themelore. Një nxitje për angazhim intensiv, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.