-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Gaza si akomodim i kulturës së luftës

Kryesoret

Tri arsyet e Gideon Levy për të ndëshkuar fëmijë, gra dhe burra në Gaza mund të jenë universale. Dhe, a është e keqja “një fuqi e vërtetë që sundon botën tonë me anë të tundimeve”?

1.

Ka disa javë, prej sulmit të Hamasit më 7 tetor, një pogromi antihebre e stilit të Evropës Qendrore e Lindore të fillimshekullit XX (me djegie, therje e torturë të çdo fëmije, gruaje e burri, çfarëdo të jetë mosha, vetëm të jetë hebre) që lajmet e mbrëmjes të BBC (CNN e të tjerëve) më janë shndërruar në ankth. Pas pamjeve të gjuetisë ndaj çdo hebreu më 7 tetor dhe numrit të viktimave hebraike të paprecedenta prej luftës së Yom Kippurit më 1973 filluan raportimet për përgjigjen që jepte ushtria izraelite. Përgjigjja ishte ndëshkim kolektiv i Gazës, ndëshkim i çdo fëmije, gruaje e burri palestinez – pa marrë parasysh moshën-për krimin që kishte bërë lëvizja politike-ushtarake Hamas. Ndëshkimi kolektiv u përngjante po ashtu atyre të shekullit XX.

Lajmet e çdo nate të tetorit dhe e një pjese të madhe të nëntorit ishin dhimbje e pandërprerë, aq sa ishte vështirë e përballueshme të përcillen deri në fund kronikat televizive.

Para dy javësh postova në platformën “X” një konstatim të thjeshtë statistikor, se për një muaj të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza janë vrarë më shumë civilë sesa në dy vjet lufte në Kosovë apo tre vjet të rrethimit të Sarajevës.

“The New York Times” gati dy javë më vonë konstatoi se numri i grave dhe fëmijëve të vrarë në Gaza për më pak se dy muaj është dyfish më i madh sesa ai në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, që në shkurt do të hyjë në vitin e saj të tretë.

2.

Ndaj postimit tim kishte disa reagime negative (nga shqiptarë të Kosovës) që kryesisht më akuzonin si “të majtë” dhe mbrojtës i palestinezëve, ndërkohë që udhëheqja e Palestinës kishte përkrahur dhe përkrahte Serbinë në konfliktin e Kosovës. Këto reagime ishin thjeshtësime, por përputheshin në masë të madhe me ligjërimin publik të mediave sociale, ku individët postojnë pozicionimin e tyre të tifozërisë, për dhe kundër njërës forcë në konflikt. Pra, nuk ishin përjashtim prej luftës që zhvillohet në media sociale lidhur me luftën që zhvillohet në kohë dhe vend real.

Dhe nuk ishin përjashtime nga ligjërimet e nisura nga projektimet e vetes (identiteteve, interesave, etj). Pra, do të ishte e pritshme prej një shqiptari të Kosovës (a Shqipërisë) properëndimor, apo që do të manifestojë gjithsesi besimin e tij properëndimor karshi paragjykimeve se vijmë prej një kombi që përllogaritet (a paragjykohet) të jetë në shumicë myslimane që të përsërisë qëndrimet e ligjërimeve prijëse të Perëndimit (“Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, “jemi me Izraelin”). Madje këtë ta përsërisin përderisa 1.5 milionë palestinezë të Gazës të mbesin pa kulm në kokë dhe kur 70 për qind të të vrarëve palestinezë janë gra dhe fëmijë.

Dhe do të ishte njëkohësisht e pritshme prej shqiptarëve të Kosovës a Shqipërisë, që anojnë kah identiteti mysliman, që në pah të parë të vënë ndëshkimin kolektiv të palestinezëve në Gaza, por jo edhe gjuetinë e hapur të hebrenjve nga Hamasi, në shumicë të madhe civilë, fëmijë, gra dhe burra.

Që të dy pritshmëritë apo stereotipat do të çojnë te një argument i përbashkuar: është në rregull të vrasësh njeriun, madje të ndëshkosh grupe njerëzish, përderisa i përkasin grupit tjetër, përderisa ata që e pësojnë janë të tjerët. Pra, është në rregull të vrasësh hebrenj, sepse ata janë okupatorë dhe është në rregull të vrasësh palestinezë, sepse ata janë vrasës të hebrenjve.

Dhe, kjo u ndodh shqiptarëve të Kosovës që para çerekshekulli ishin të përndjekur kolektiv, por tash gjejnë arsyetim gjeopolitik pse përndjekja kolektive, nga cilado anë, qenka në rregull.

3.

Gideon Levy, një kolumnist i famshëm i gazetës izraelite “Haaretz”, kolumnisti e gazeta që janë përpjekur ta ruajnë mendjen e shëndoshë të ligjërimit hebre edhe në kohët më të çmendura, dha tri shpjegime për besimin izraelit në të drejtën e ndëshkimit kolektiv. Ai tha se hebrenjtë e Izraelit pothuajse në shumicë e konsiderojnë veten “popull i zgjedhur” (sipas përshkrimit në Dhjatën e Vjetër), pra çdo gjë që bëjnë ka arsyetimin e vet hyjnor. Pastaj, se janë shtet okupator, por që njëkohësisht paraqiten si viktimë, duke përmendur aty edhe Holokaustin. Dhe së treti, bëjnë dehumanizimin e palestinezëve, ashtu që çfarëdo që të bëhet me ta është në rregull.

Në fakt, tri shpjegimet e Levyt mund të përdoren në cilindo konflikt, mund të kenë vlerë universale. Në agresionin rus në Ukrainë, Putini përdori gjuhë të popullit sipëror (supremacist) që do të hyjë me ushtri për t’i korrigjuar gabimet e popullit të “gabuar”. Duke okupuar Ukrainën ai shpjegoi se populli rus ishte viktimë e ukrainasve. Dhe, si qershi mbi tortë, Putini dha shpjegimin se ky grup i njerëzve ishte fundërrina e njerëzimit, diçka që ai do të shkatërronte.

Apo në rastin e Kosovës. Në agresionin e Serbisë kundër të gjithë popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, Milosheviqi ngriti të drejtën e popullit serb për të jetuar në një shtet mbi të drejtën e çdo populli tjetër, madje edhe të drejtën për të jetuar (siç u dëshmua me gjenocidin e Srebrenicës apo përpjekjen e gjenocidit në Kosovë). Përderisa e okuponte Kosovën, Milosheviqi fliste për serbët në Kosovë si viktima. Dhe, përderisa vriteshin shqiptarët e Kosovës, ligjërimi shovinist në Serbi tashmë për njëqind vjet e tutje i kishte përshkruar si qenie me vlerë më të ulët se njerëzit, rrjedhimisht të pashkuar dëm nëse vriten.

Dhe, ndonëse e kuptoj se me lehtësi do të akuzohem për tërheqje paralelesh, a nuk ekziston edhe brenda ligjërimit shqiptar të Kosovës (sado pakrahasimisht më pak se në Izrael, te Hamasi, në Rusi apo Serbi) konteksti për të arsyetuar ndëshkimin kolektiv të serbëve pas çlirimit të Kosovës më 1999? A nuk është pjesë e ligjërimit të një pjese të rëndësishme identifikimi i serbëve si ardhacakë të Karpateve që pushtuan tokat ilire? A nuk janë të mjaftueshme, po ashtu, rrëfimet për barbaritë e okupatorëve serbë , posaçërisht që nga 1912 për të ndëshkuar çdo serb, fëmijë, grua e burrë, duke i konsideruar trup të huaj në tokën ilire?

4.

Çdo luftë, pra edhe këto që po i shohim në Ukrainë a Gaza janë një lloj testimi i nivelit të pranueshmërisë të së keqes. Pas një kohe, konflikt pas konflikti tregojnë se si zhvillohet rezistenca ndaj imazheve të shkatërrimit dhe madje edhe idesë së luftës e njëkohësisht edhe akomodimit me të, duke e racionalizuar.

Dhe duke shtruar pyetje për shoqëritë. Apo, si në rastin e Vladimir Solovjevit, filozof dhe shkrimtar rus i shekullit XIX e ndikimit të fortë të Dostojevskit, duke shtruar pyetje për vetë natyrën njerëzore:

“A është e keqja vetëm një defekt natyror, një papërsosmëri që zhduket vetvetiu me rritjen e së mirës, apo është një fuqi e vërtetë që sundon botën tonë me anë të tundimeve, kështu që për ta luftuar atë me sukses, duhet gjetur ndihmë në një sferë tjetër të të qenit?”

Për Solovjevin dhe misticizmin e tij religjioz, “kjo pyetje jetike mund të shqyrtohet dhe zgjidhet plotësisht vetëm në një sistem të plotë të metafizikës”.

Për ne të tjerët, kjo pyetje jetike ndoshta mund të fillojë së trajtuari me një pyetje tjetër, më afër: si të ndërtojmë kulturën e paqes?/ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit