Kosova është tronditur nga disa ngjarje që kanë ndodhur gjatë këtij muaji. Shpërthimi në Tregun e Kafshëve në Prizren, grabitja e armatosur në argjendarinë në Suharekë dhe dy vrasjet që ndodhën mbrëmë në Prishtinë, janë vetëm disa prej tyre. Gazeta Express sjell një përmbledhje të këtyre ngjarjeve. Brenda një ore, mbrëmë në kryeqytet kanë ndodhur dy vrasje. Njëra në rrugën “Dalip Alshiqi”, e tjetra në rrugën “Ali Vitia”. Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 20:26, ku është vrarë gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-Presidentit Behgjet Pacolli.
Rasti i dytë ka ndodhur rreth një orë më vonë, ku dhëndri dyshohet se ka therur për vdekje babain e bashkëshortes së tij. Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë deklaruar se i dyshuari për këtë rast është identifikuar, por se ndodhet në arrati.
Para një jave, saktësisht të mërkurën, vendi është tronditur nga një grabitje që u krye gjatë ditës në Suharekë. Disa persona të maskuar e të armatosur grabitën një argjendari në këtë qytet. Gjatë përballjes me ta, një zyrtar policor është plagosur e një tjetër është lënduar lehtë. Në këtë rast dyshohet se kanë qenë të përfshirë katër persona, të cilët pas grabitjes janë arratisur.
Më 22 nëntor, kishte ndodhur edhe një ngjarje tjetër tronditëse në rajonin e Prizrenit. Në Tregun e Kafshëve në Prizren, ishte hedhur një mjet shpërthyes, ku si pasojë ishin lënduar dhjetë persona, pesë prej të cilëve ishin dërguar për trajtim në QKUK. Dyshohet se mjeti shpërthyes ishte hedhur pas një mosmarrëveshje ndërmjet tregtarëve.