Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka arrestuar dy persona nën dyshimin për vrasjen e një gruaje para disa ditëve në Prishtinë.
Gruaja 30-vjeçare u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën vonë dhe policia thotë tani se pas hetimit të vendit të ngjarjes ka kapur dy të dyshuar për vrasjen e saj.
“Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, tha policia në një njoftim.
Njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli. Autori që dyshohet se ka kryer vrasjen, Granit Plava e ka pranuar në polici dhe ka thënë se është premtuar për t’u paguar nga Naim Murseli 30 mijë Euro.
Murseli dhe autori i dyshuar janë bashkëfshatarë. Liridona Murseli, rreth 30-vjeçe është varrosur sot në Cërmjan të Gjakovës, sipas Telegrafit.