Emigrimet si një fenomen që ka shoqëruar përherë humanitetin nëpër histori, natyrisht nuk kanë përjashtuar nga ligjësitë e hullive të tyre as popullsitë ilire, arbërore apo shqiptare, nga antikiteti, mesjeta dhe gjer në kohët moderne.
Njoftimet e para të dokumentuara, të largimeve masive të popullsisë arbërore nga trojet e veta, na vijnë nga krisobulat perandorake bizantine. Ato i takojnë shekullit të XII-XIII dhe bëjnë fjalë për zbritje masive të popullsisë arbërore, që banonte territoret e jugut apo qëndrore të Arbërisë, drejt zonave jugore ballkanase, Greqisë, sikundër ato të Thesalisë, më pas në anët e Atikës, Argolidhës, Qikladeve, Evripos, Moresë apo në Peloponez, Korinthi e gjetkë. (1)
Në dokumentacion bizantin jepen detaje që na bëjnë me dije se kush ishte në krye të këtyre emigrimeve, shkaqet e emigrimeve, vendet konkrete ku kjo popullsi do të vendosej, kushtet ligjore (detyrimet dhe të drejtat) që do të fitonin emigrantët e vendosur në këto anë, roli që kjo popullsi do të luante në historinë e këtyre anëve, etj. Në krisobulat perandorake evidentohen gjitashtu emrat e prijsave arbëror që ishin në krye të grupeve të mëdha emigrantore, të tillë si Buajt, Mazarekët, Lioshat, Shpatajt, Mallakasët, etj. (2)
Dokumentet bëjnë më dije gjithashtu se këto zbritje masive ishin paqsore (sigurisht në ndonjë rast edhe të dhunëshme) dhe emigrantët veçsa merrnin tokë në pronësi, në terrene të braktisura, djerrë, ata kishin detyrimin ligjor të qëndronin të gatshëm si një forcë ushtarake, me kuajt e luftës dhe armatimin e nevojshëm për të mbrojtur këto anë të Bizantit nga goditje periodike të kohës.
Sigurisht, më sipër flasim vetëm për ato lloj emigrimesh të cilat veçsa dokumentohen nga burimet arkivore, historianët e njohur bizantinë si Leonik Halkokondili, etj., (i cili shkruan se trupa të mëdha luftëtarësh shqiptare, të nisur nga Durrësi, së bashku me familjet e tyre…”), konfirmohen edhe nga burime të tjera të kohës dhe të mëvona, apo edhe dinamika e vendndodhjes të tyre aktuale. (3)
Por, të dhëna të tjera indirekte për emigrime apo praninë e popullsisë arbërore në gadishullin helenik (Greqi) gjenden edhe më herët dhe ato i takojnë shekullit të VI dhe të VII të erës sonë. Për to flet me hollësi historiani i njohur T. Johallasi, i cili u referohet historianëve bizantinë, si Halkondili apo kërkimeve dhe vlerësimeve të historianit gjerman Fallmerajer, pretendimet e të cilit vlersohen dhe mbahen në konsideatë. (4)
Dy historanë dhe studiues grekë, të periudhës mesjetare, Pullos dhe Panajotopullos argumentojnë se emigrimet e popullsisë shqiptare në territoret e Peloponezit janë të paktën që në shekullin e IX, pasi në dokumente të shumta bizantine të këtij shekulli, emri “Mani” i Peloponezit gjendet i shkruar kudo për këto territore.
Por, emri “Mani” , thonë ata, spjegohet vetëm me fjalën shqipe “man”, pra emri i drurit frutor të manit, ndërsa në gjuhën greke nuk ka asnjë kuptim. Pra, duket qartë se atë emër e kishin sjellë në këto anë shqiptarët e zbritur që më parë në këto territore. (5)
Por, në shekujt e XIV dhe XV, zbritjet e shqiptarëve në këto anë bëhen më masive dhe për pasojë më evidente, si të tilla, një numur më i madh dokumentacioni arkivor ndriçon këto emigrime, të cilët janë dhe sot e kësaj dite po kaq të pranishme dhe në po ato krahina ku shekuj më parë, përshkruhen në dokumentet historike.
- Kështu, në vitin 1189 ne gjejmë një gjeneral të famshëm shqiptar me trupat e luftëtarëve të tij, Leon Zguron të vendosur në Nafplio, nën urdhërat perandorakë të Manuel Komnenit.
- Në vitin 1349 grupe të madha shqiptarësh (nën urdhërat e perandorit bizantin Kantakuzeni) nga territoret e Arbërisë jugore, nën udhëheqjen e princave të tyre, zbresin në operacione ushtarake në manyrë masive dhe vendosen në More (Peloponez). (6)
- Në vitin 1370 formacione luftëtarësh shqiptarë në komandën e Shpatës zbresin në operacione të sukseshme ushtarake në krahinat e Akarnanisë dhe shumë prej tyre së bashku me familjet vendosen atje. (7)
- Përgjatë vieve 1373-1382, duka i Athinës Raniero Acaiuoli tërheq në aleancë dhe fton luftëtarë shqiptarë së bashku me familjet e tyre që masivisht të vendosen në Atikë, Argolidhë dhe Korinthi. (8)
- Në vitin 1380 gjenden në Dhimitriadhë dhe Thivë formacione të shumta luftëtarësh shqiptarë së bashku me familjet e tyre të vendosur në këto anë. (9)
- Në vitin 1383, Katalanasit (spanjollë) të cilët kishin në zotërim të tyre prej gati 80 vitesh dukatin e Athinës ftuan të vendosen në territoret e Atikës dhe fushën e Apsosit arbërit e fiseve Liosha, Mazreka, Mallakastra, etj, të cilët i gjejmë edhe sot të pranishëm, me këto emra, në mënyrë masive në këto territore. (10)
- Në vitin 1381 arbërorët i gjejmë të vendosur së bashku me familjet e tyre në territoret e Kontesë së Salonës, ashtu sikurse një vit më vonë, më 1382 të ftuar nga spanjollët dhe venecjanët i gjejmë të vendosur në tërë fshatrat rreth Athinës.
- Më 1388 një tjetër zbritje masive e arbërorëve vendosen përsëri në Atikë (rreth Athinës).
- Në vitet 1380-1407, nën mbështetjen e Princit Teodor Paleologu të Bizantit, vendosen në zonën e Argosit dhe të Arkadisë grupe të mëdha familjesh dhe luftëtarësh arbëror. Mes tyre që kishin zbritur në More, në vitin 1405, ishin edhe rreth 10 000 arbërorë që pak vite më parë ishin ndeshur me forcat e fiorntinasit Karl Toko në Akarrnani. (11)
- Në vitin 1402, venidikasit të cilit kishin në zotërimin e tyre ishullin e Eubesë, me vendim të Senatit venedikas kishte ftuar forca të mëdha luftëtarësh shqiptarë së bashku me familjet e tyre për ti pasur aleatë në konfliktet e tyre kundër katalanëve dhe napolitanëve. (12)
Sidoqoftë, kjo popullsi emigratore kaq masive, shtegëtuar dhe vendosur përgjatë shekujve të XII, XIV dhe më tej, në këto anë, veçsa ndryshoi dhe begatoi vendet djerë dhe të braktisura prej kohësh, krijoi në të njëjtën kohë balanca të reja etnike. Regjistrat Kadastralë Osmanë qartësojnë se në regjistrimin e popullsisë, në mesin e shekullit të XVI, dominanca maxhoritare i takon popullsisë arbërore në raport me atë greke.
Nga një regjistrim dhe evidentim i vendbanimeve, fshatrave dhe qëndrave të tjera urbane të banuara nga popullsia abërore, apo arvanite (siç thirret kjo popullsi sot, në Greqinë moderne), prej Bashkimit Europian, gjenden 678 fshatra.
Por, afrimi i invazionit osman drejt territoreve ballkanase, në fundin e shekullit të XIV dhe fillimin e shekullit të XV u dha një rrjedhë tjetër historisë së popullsisë arbërore të këtyre anëve.
Pa folur gjatë për fushatat e përgjakshme që ndërmorën forcat osmane në fundin e shekullit të XIV dhe fillimin e shekullit të XV në territoret helenike, duhet të përmëndim faktin se popullsia arvanite në këto anë ishte forca kryesore e rrezistencës antiosmane.
Me qindra beteja zhvilloi kjo popullsi, e vetme apo në aleancë me venedikasit (të cilët kishin shumë zotërime bregdetare në Peloponez, Atikë, brigjet Joniane apo ato të Egjeut), aq sa kur Venecjanët nënshkruan Traktatin e Paqes me Turqit, në Prill të vitit 1479, këta të fundit u kërkuan venecjanëve “të largojnë me çdo kusht shqiptarët nga zotërimet e tyre… pasi gjithçka tjetër mes palëve mund të zgjidhej…” (13)
Pas një qëndrese gati gjysëm shekullore, të përgjakshme dhe heroike, ndërsa venecjanët ishin tërhequr nga të gjitha bazat dhe zotërimet e tyre në brigjet helenike, përfundimisht në fillimin e vitit 1461, turqit ishin bërë zotër të të gjitha territoreve të Peloponezit dhe të Greqisë kontinentale në tërësi, me përjashtim të Methonit (siç njihet Modena), Koronit, Monemvasisë dhe Argolidhës. (14)
RIEMIGRIMET E ARBËRORËVE NGA GREQIA NË TERRITORET E ITALISË
Në rrethana tepër të rënda kur hakmarrja osmane vërshonte me krime të papara ndaj popullsisë arbërore kishte qëndruar heroikuisht në këto anë, grupe të masive të kësaj popullsie detyrohen të riemigrojnë nga territoret greke në drejtim të Gadishullit Apenin dhe vendosen në hapsirat Venecjane, në territoret jugore italike, Kalabri në mënyrë masive, në Siçili, por edhe në Italinë qëndrore.
Arkivi i Napolit dhe ai i Venedikut kanë një dokumentacion të pafund për emigrimet, emigrantët dhe vendosjen e arbërve në këto anë. Ky dokumentacion na bën me dije për praninë e reparteve dhe luftëtarëve shqiptarë apo stratiotëve siç thirreshin ato kohë, në aleanca me venecjanët apo mbretërinë e Napolit, në frontet e luftrave dhe konfliktet mes republikave apo mbretërve latinë, madje edhe përtej kufijve të Italisë, nëpër Europë sikundër në frontet e betejave në Franca, Gjermani, Spanjë, Hollandë, Danimarkë dhe gjer në territoret e Lindjes së largët, ku stratiotët shqiptarë u dalluan për aftësitë e tyre të rralla luftarake dhe që jo rrallë vendosën fatet e betejave ku ata qenë të pranishëm.
Emrat e stratitëve shqiptarë dhe të komandantëve të tyre janë në krye të kronikave të luftës të shekujve të XV, XVI dhe XVII. Mes tyre shquhen komandantët e njohur, si rrallë prijsa të tjerë ushtarakë, ato të Mërkur Buas (Gjenerali më i dekoruar në mesjetën europiane), Gjergj Basta, (strategu i fronteve, mbi 86 beteja të fituara, dhe autori i Manualeve të organizimit të luftimeve…) (15)
Petro Buas (Portret i Belinit dhe afresku i tij në kishën katetrale në qëndër të Vjenës), Meksa Buziqit, Krokodil Kladhës, e shumë të tjerëve. Këto valë të mëdha riemigratore në territoret italiane gjenden edhe sot e kësaj dite, sikurse dihet në këto anë.
Pra, duhet thënë se ngulmimet arbreshe në Itali nuk i takojnë vetëm emigrimeve masive të popullsisë shqiptare nga territoret e Shqipërisë, pas vdekjes së Skënderbeut, por një pjesë e madhe e këtyre emigrimeve dhe vendbanimeve të krijuara në tokën italiane i takon popullsisë arbërore që u largua nga Moreja (Peloponezi) apo territoret kontinentale helenike dhe vendosur në këto anë. (Prandaj edhe kënga “Moj e bukura More… …” kujton vendbanimet e tyre në Peloponez)
Sigurisht, ende edhe sot e kësaj dite nuk është bërë një identifikim i specifikuar, se nga cilat emigrime u krijua një fshat apo tjetri në Kalabri, Siçili dhe më gjërë. Por, ka mjaft elementë sinjifikativë që mund të ofrojnë mundësitë e origjinës së emigrantëve që krijuan këto vendbanime.
Pra, për të arritur në konkluzione të saktë, në identifikumin e origjinës së teritorrit prej nga zbritën banorët që formuan katundet arbëreshe të Italisë jugore dhe Sicilisë, lipset të analizohen me kujdes:
- Mbiemrat e banorëve
- Gjuha e banorëve të katundit arbëresh, dialekti i tyre.
- Zakonet, traditat, ritet, dasmat, morti.
- Folklori, këngët e vjetra, mitet dhe legjendat (Kënga e Doruntinës, tek arvanitët nuk njihet)
- Kostumet e grave dhe të burrave.
- Figurat popullore, emrat e tyre.
- Arkivat italiane, që kanë dokumentuar mbritjen dhe dhurimin e tokave, aktet kadastralë.
- Dokumentet e vllamënive apo esnafëve të qyteteve të ndryshme, si në Venecia…
- Njohja e vendbanimeve të braktisura në teritoret e Shqipërisë, të cilat ruhen si mbiemra tek arbëreshët.
- Toponimia shqiptare në tërësi.
- Analizat shkencore të ADN-së sot ofrojnë mundësi shumë të mëdha, por edhe ato duhet të konfrontohen me të dhënat historike, që njoftojnë lëvizjet e populllisve, kohët dhe shkaqet e tyre.
Duke iu referur mbiemrave të arbëreshëve apo edhe arvanitëve ne mund të identifikojmë krahinat ku ata banonin. Të tillë në Greqi apo tek arbëreshët në Itali gjejmë me mbiemra: Fishta, Bilishti, Muriqi, Gjerbsi, në Peloponez afër Patrës, është fshat. Kuçi, Golemi, Pikermi, Likursi, etj.
Në dokumentat bizantine dhe ato venecjane gjejmë: Paolos Bossato (Pal Bushati), Guillelmus Blenisti (Gulielm Bilishti ose Blenishti), Petrus Kuçi (Petro Kuçi), Demetrius Chimara (Dhimitër Himara), Johanes Pikernes (Gjon Piqerasi) edhe sot vendasit e thërrasin fshatin e tyre Piqerm, Petrus Plesca (Petro Plesha), katund i braktisur në Zagorie.
Tek arbëreshët gjejmë, Mark Avloniti (Mark Vlonjati), Vasili Likurso (Vasil Lëkursi), Gjergj Gerbesi (Gjerbsi), mbiemrat Lala (Lala), Suli (Suljoti), Barchi (Barçi), Damisi (Damsi), Golemi, Këmbëthekra (fshat në rrethin e Korçës), etj.
Në radhët e popullsisë arbëreshe ne gjejmë gjithashtu edhe një numur të madh familjesh të cilat mbajnë për mbiemër ato të familjeve të mëdha e të njohura fisnike shqiptare të mesjetës, të cilat njihen si të tilla dhe shfaqen në mënyrë periodike në dokumentet e kohës, që nga koha e zbritjes së tyre në brigjet latine. Kështu, në radhet e dokumenteve që i përkasin epokës së largimit, apo edhe të ngulmimeve të hershme arbëreshe e gjer sot ne gjejmë emra të njohur si:
Bafa, Barbati, Barçi (Barci), Becci (Beci), Belluschi (Belushi), Blesi (ai që ble), Blusi (ai që bluan, Blushi), Candreva (Kandreva), Carnesi (Karnesi), Cernovichi (Cernoviqi, fisnik shqiptar i malit të zi që emigroi në Itali), Cucci (Kuçi, ose Kuqi), Damisi (Damsi), Dara, Dosrsa, Duchagini (Dukagjini, mbiemër i familjes të njohur fisnike arbërore), Golemi, Helmi (E gjejmë edhe Helmsi, ndoshta nga Skrapari), Helmsi, Kastrioti, Lala (Mbiemër i përhapur në Myzeqe, Lushnjë, Tiranë dhe në Peloponez në Greqi). Lalioti (Mbiemër që gjendet tek arvanitët e Peloponezit), Licursi (Likursi), Lopesi (Lopësi), Liossa (Liosha ose Losha princ shqiptar i mesjetës prej Çamërie).
Lucci (Luçi mbiemër i njohur në Labëri), Manesi (Maneshi ose Manësi, mbiemër i përhapur në rrethet e Dibrës, kujto gjenerali i Skënderbeut, Korcës dhe Kolonjës)
Marchian, Masaracchia (Mazaraka ose Mazreka – në rrethin e Korçës dhe në Çamëri dhe ruhet njëkohësisht si mbiemër në Argolidhë e Peloponez – Greqi, Masi (Masi ose Mazi ruhet si mbiemër në Shkodër dhe në Atikë dhe Kalabri)
Masci (Maski, Mashki ose Mashi, ruhet në Eube dhe në Kalabri) Mates (Matesi, Matësi, Mati – emër krahine), Matranga (Mataranga ka ende sot në Korçë) Morati, Muriki (Muriqi gjendet në Shkodër por edhe në Atikë-Greqi)
Musachi (Muzaka ka ende sot në Lushnjë dhe Berat) Petta (Peta), Rada (Ka ende sot në Devoll-Korçë, Kolonjë, Kalabri) Reres (Është mbiemri i gjeneralit të Skënderbeut që shkoi për ndihmë latinëve me dymijë kalorës, nuk dimë nga çvend i Arbërisë ishin Reret)
Ribecco, Schiro (Skiro ose Shkiro) Skura (Skura ose Zgura ruhet ende sot si mbiemër në rrethet e Tiranës, Korçës, Beratit, Kuçovës, në Beoti-Greqi dhe Kalabri) Kudesi (Kudhësi- fshat ne krahinën e Himarës, ruhet si mbiemër në Kalabri dhe Vila Badesa), Smilari, etj.
Sipër janë vetëm një pjesë e vogël e një pune të madhe që duhet bërë për të ndriçuar shumë të panjohura të historisë të popullit tonë, të dinamikave, lëvizjeve, migrimeve dhe emigrimeve, kontributeve që kjo popullsi dha në arealin Europian e më gjërë, të vlerave dhe arsyeve që kjo popullsi mbijetoi dhe mbijeton prej mëse pesë shekujsh, me tipare të pasuruara por qartësisht identifikuese dhe krenare për origjinën e saj.