Më 13 Korrik të vitit 1940 u krijuanë Londër një strukturë e vecantë e inteligjencës ushtarake të luftës, e emërtuar SOE (Special Operation Ekzekutiv- Struktura për Kryerjen e Operacioneve Speciale) nga një përzjerje e tre Shërbimeve ekzistuese Sekrete Britanike. Qëllimi dhe misioni i saj ishte të organizonte veprimtari spiunazhi, sabotazhe, nxiste dhe mbështeste lëvizjen e rrezistencës së armatosur lokale në prapavijat e Europës së pushtuar nga gjermanët. Gjatë viteve të Luftës ajo strukturë e ngritur me inisiativën e kryeministrit britanik shpesh u thirr “Ushtra Sekrete e Cërcillit”.
Misioni i SOE dhe i ushtarakëve Britanikë në territoret e Ballkanit të pushtuar nga gjermanët dhe konkretisht në Shqipëri, ishte:
- Të nxisnin dhe mbështesnin lëvizjen e rrezistencës kundër pushtuesve nazifashistë në prapavijat e tyre, dhe ti shkaktonin në maksimum dëme dhe shqetësim forcave gjermane të pushtimit. (1)
-
Të vlerësonin nëse do të konsiderohej Shqipëria një vend mik apo armik, pjestar i Boshtit apo i Aleancës Antifashiste?
-
Të përcaktohej mbi bazën e kontributit ose jo në rrezistencën antifashiste – Cilat do të ishin kufijtë e Shqipërisë mbas Luftës së Dytë Botërore?
Kontaktet e para të misionarëve të SOE-s me lëvizjen e rrezistencës antifashiste shqiptare, u realizuan në Prill të vitit 1943, kur një grup ushtarakësh të rinj të kësaj strukture u infiltruan përmes Greqisë së Veriut në territorin shqiptar. Fillimisht, ata hynë në qarkut e Gjirokastrës, në fshatin Sopik, mandej në Polican dhe Zagorie, ku muarën kontaktet e para zyrtare me përfaqësues të dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë Nacional Clirimtare. Më pas u vunë në kontakt me vetë formacionet partizane në zonën e Leskovikut dhe Ersekës dhe me gjërë me përfaqësuesit e formacioneve të tjera politike në Shqipëri (2)
INFORMACIONET E PARA
NGA SHQIPËRIA NËN OKUPACION
Njoftimet e para për rrezistencën antifashiste të forcave shqiptëre, luftimet e njësive dhe formacioneve partizane, që përfaqësuesit e SOE i dërguan qëndrës së tyre në Londër, Kajro e gjetkë, i takojnë mesit të vitit 1943.
Duke iu referuar një pjesë të informacioneve që përcolli kjo strukturë ato kohë Londrës, bëjnë fjalë për luftimet e njësive partizane kundër forcave pushtuese italiane më 3 Korrik 1943, në sulmin ndaj Këlcyrës, ku raportohet se ishin vrarë 40 trupa italiane… se në Qafën e Kicokut u vranë 10 bersalierë – dhe prej forcave partizane ishin vrarë 6 vetë dhe plagosur tre të tjerë.
Pak ditë mbas kapitullimit të Italisë fashiste, misionarët e SOE-s njoftonin mbritjen e trupave gjermane në territorin shqiptar përmes kufijve veriorë të Greqisë. Bashkë me këtë SOE njoftonte goditjen e parë që forcat partizane u kishin dhënë autokolonave të pushtuesit të ri. “Gjermanët, që dogjën Barmashin, humbën nga goditet e forcave partizane 44 vetë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë”- njoftonin ata. (3)
Në përpjekjet për të mbështetur përherë e më shumë shtrirjen gjeografike të rezistencën antifashiste në territoret shqiptare, përfaqësuesit e SOE punuan intensivisht për të bindur të gjitha grupimet politike shqiptare të përfshiheshin në luftën me armë në dorë kundër pushtuesit gjerman, si i vetmi objektiv dhe qëllim i cdo lëvizjeje politike.
Por, mbas një numur kontaktesh dhe përpjekjesh, në një njoftim që SOE i bënte qëndrës në Kajro, në Gusht të vitit 1943 theksonin se: “Lëvizja NCL, që këto kohë ka një bazë dhe shtrirje të gjërë politike në vend, …ajo bëri përpjekje për pajtim edhe me Ballin Kombëtar, …. përpjekje të cilat rezultuan të pasukseshme…. … … pas kësaj mardhëniet mes tyre janë ashpërsuar…”
Duke ndjekur me vëmëndje zgjerimin e rrezistencës së armatosur të Frontit Antifshaist Nacional Clirimtar, dhe të radhëve të ushtrisë partizane, operacionet e suksesshme të tyre në shumë krahina të vendit, në fund të muajit tetor 1943 Departamenti i Zbulimit Politik (SOE), duke vlerësuar këto realitete në Shqipëri, e shikonte të nevojëshme dhe realiste, t’u kërkonte strukturave të Forign Officce-it të bënin një deklaratë në mbështetje të rrezistencës antifashiste në Shqipëri. (4)
– KRYEMINISTRI BRITANIK – CERCILL, NË MBËSHTETJE TË RREZISTENCËS
ANTIFASHISTE SHQIPTARE
Mbështetur në këtë kërkesë, vetë përfaqësuesi i misionit ushtarak britanik, Komandanti i Krahut Ajror të Jugut, Koloneli Hulbert, duke njohur dhe vlerësuar luftimet dhe qëndresën e formacioneve të Ushtrisë Nacional Clirimtare shqiptare, i kërkoi qeverisë britanike dhe i drejtonte personalisht Kryeministrit Cërcill, në Parlamentin Britanik këtë pyetje:
– I nderuar zoti Kryeministër! Nëse mund të bënit ndonjë deklaratë për guerilet dhe rrezistencën antifashiste në Shqipëri? Cili është qëndrimi politik i Qeverisë Tuaj, ndaj këtij vendi?”
Përgjigja e dhënë nga ana e Cërcillit ishte kjo:
Përgjigja: “Po Zotëri! Mund të deklaroj se – mijra shqiptarë po luftojnë nëpër male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.
Nga përvoja e vendeve të tjera të pushtuara, ata kanë mësuar që – e ashtuquajtura pavarësi e dhënë nga gjermanët është tërësisht e gënjeshtër … pas një rrezistence që ata bënë ndaj pushtuesit Italian dhe që ata rrefuzuan ta pranojnë, ai pushtim u zëvendësua nga pushtuesi nazist….. por guerilet shqiptare vazhdojnë të sulmojnë armikun dhe të godasin linjat e tyre të komunikimit…. Oficerët tanë të ndërlidhjes britanike (SOE), që qëndrojnë me këta guerilas kanë lavdëruar shumë cilësitë e tyre luftarake. ….. ne dëshirojmë ta shikojmë Shqipërinë të lirë nga zgjedha e Boshtit (nazi fashist) dhe pavarësinë e saj të rivendosur.” (5)
Pas një pune të gjatë dhe përpjekje insistuese të britanikëve me drejtuesit e formacioneve politike shqiptare, që grupimet politike shqiptare të renditeshin të gjitha në një front unik antifashist, ata nuk gjetën as përkrahjen dhe reagimin e pritur prej tyre. Praktikat dhe shqetësimin që pasqyrojnë këtë qëndrim të paparanueshëm dhe shqetësim permanent të misionarëve britanikë, na i sjell në Tetor të vitit 1943 shefi i misionit ushtarak në Shqipëri, Gjenerali Deivis, në “Raportin javor mbi situatën në Shqipëri”, drejtur Londrës, ku ndër të tjera ai shkruan:
“Fronti Antifashist Nacional Clirimtar i udhëhequr nga Partria Komuniste është e vendosur fuqimisht kundër gjermanëve, por ajo është shumë e reduktuar në efektivitetin e saj nga mungesa e armëve dhe nga mosmarveshjet me Ballin Kombëtar. Luftimet mes Ballit dhe forcave të Ushtrisë Partizane duket se do të jenë të pashmangshme, prandaj gjermanët po e shfrytëzojnë plotësisht këtë situatë.” (6)
– OPERACIONET GJERMANE
TE DIMRIT 1943-1944
Situata gjatë muajve në vazhdim, Nëntor e Dhjetor 1943, do të rëndohej shumë për formacionet partizane. Sikundër dihet, forcat gjermane do të fillonin ofensivën më kërcënuese dhe të përgjakshme, operacionet ndëshkimore në shkallë të gjërë kundër rrezistencës së forcave partizane, që tanime njihen me emrin Operacionet e Dimrit të vitit 1943 dhe fillimit të vitit 1944.
Gjenerali Deivis, i cili ndiqte me shqetësin tërë teatrin e luftimeve të ashpra, njoftonte më 10 Dhjetor 1943, “se Shtabi i Përgjithshëm i Lëvizjes NCL i kishte propozuar transferimin e Shtabit të tij në jug të Shqipërisë, për shkak të sukseve të gjermanëve në zonat e Pezës dhe të Dibrës …. dhe rreziqeve që paraqeste qëndrimi i tij në ato anë…” Dhe Gjenerali britanik e kishte pranuar propozimin e Shtabit të Përgjithshëm për të marshuar përmes dimrit të ashpër bashkë me ta…. (7)
Shtatë ditë më pas, ndërkohë që situata përkeqsohej edhe më shumë, në një tjetër njoftim, të datës 17 Dhjetor 1943, SOE që ndiqte nga afër avancimin e trupave gjermane në këto operacione të ashpra do të njoftonte qëndrën:
“… njëqind gjermanë me katërqind ballistë kanë mundur të shtien në duart e tyre Pogradecin. Në të gjithë zonën e Mokrës deri në lumen Devoll aktualisht nuk ka partizanë….” “Në rajonet e Shqipërisë jugore …. forca të shumta gjermane kanë sulmuar forcat partizane në Gjorm, Lepenicë, Vajzë dhe luginën e Shushicës… “(8)
Ndodhur përpara një situate tepër të rëndë, ballë operacioneve të egra të makinerisë ushtarake naziste, tanimë në bashkëpunim të hapur me forcat e Ballit, dimrit të egër dhe materialit ushtarak tepër të paktë të forcave partizane, Gjenerali Deivis, më datë 23 Dhjetor 1943 i dërgonte përsëri këtë Telegram Min. Jashtme britanike dhe Shtabit të Forcës 133:
“Duhen ndërprerë marrëdhëniet e Misionit Britanik me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin dhe të bëhet denoncimi publik i tyre…..” dhe duke ofruar hollësi rreth këtyre zhvillimeve, në po këtë radiogram gjenerali britanik informonte:
– “Zhvillimet e fundme e bëjnë kaq të domosdoshme denoncimin kolektiv dhe me emra të vecantë të Këshillit të Regjencës, të “Ballit Kombëtar dhe zogistëve. Të gjithë këta, tanimë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët i paisin me armë në sasi të mëdha, duke i vendosur si roje në rrugët kryesore, si policë qytetesh dhe si drejtues patrullash duke lënë kështu të lira trupat gjermane.
– Në të gjitha aksionet e fundit, që kanë zhvilluar forcat partizane janë ndeshur me forcat gjermane dhe ato të “Ballit Kombëtar”, të përgatitura dhe të armatosura mirë nga gjermanët.
– Të dy, “Balli Kombëtar” dhe Abaz Kupi më premtuan mua se do të luftonin aktivisht kundër gjermanëve, por muajin e fundit ata nuk kanë bërë asnjë aksion qoftë edhe të vetëm, ndonëse kanë pasur shumë shanse për tu rrezistuar gjermanëve. Abaz Kupi ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij në Këshillin NCL.
– Të dy, Balli Kombëtar dhe zogistët po publikojnë gazeta ambicioze dhe të shtrenjta, qatazi pro gjermane. Në 8 botime e tyre nuk gjen asnjë referncë antigjermane.
– …… një pjesë e shqiptarëve kanë luajtur edhe më parë me sukses kartën e kuisligut, kur ishin nën pushtimin Osman, e njëjta gja ngjau edhe nën pushtimin italian dhe të njëjtën gjë po bëjnë tani me gjermanët…. Prandaj rekomandoj, që nga ana e juaj të dilet me një Deklaratë të hapur pro LNCL, si e vetmja forcë active kundër pushtuesit gjerman.”. (9)
Ndërsa operacionet gjermane të dimrit vazhdonin, në muajt e parë të vitit 1944, situata dhe gjendja për forcat partizane do të bëhej edhe më kritike. Operacionet e trupave gjermane ishin shtrirë edhe përtej zonave të kontrolluara nga ana e tyre. Të shqetësuar seriozisht nga këto zhvillime, në një telegram të datës 21 Shkurt 1944, që ushtaraku i SOE, Killearn i drejtonte Ministrisë së Jashtme Britanike – me nentitull: “Gjendje e vështirë e Lëvizjes Nacional Clirimtare dhe nevoja për të mbajtur një qëndrim më të fortë ndaj bashkëpunëtorëve të gjermanëve në Shqipëri”, theksonte:
“…. Çështja shqiptare po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Tashmë nuk ka dyshim se një numur i konsiderueshëm i përkrahësve të Ballit Kombëtar po bashkëpunojnë ngushtë me gjermanët në operacionet aktuale të këtyre muajve të fundit në Shqipërinë jugore, kundër Lëvizjes Nacional Clirimtare dhe janë duke korrur suksese të thella. Pjesmarrësit në Lëvizjen Nacional Clirimtare realisht janë në një situatë shumë serioze dhe të vështirë. Kjo situatë shoqërohet me informacionin tashme të vërtetë për implikimin e Ballit Kombëtar deri në sulmin kundër përfaqësuesit më të lartë të SOE, sikundër edhe kundër vetë Brigadjer, Gjeneralit Devis… “(10)
“…. Cdo gjë që është bërë gjer më tani kundër gjermanëve padyshim është bërë vetem nga Lëvizja Nacional Clirimtare” – përfundon ai. (11)
Në ditët e para të Janarit 1944, duke ndjekur me shqetësim gjendjen e përkeqësuar të situates, operacionet e pandërprera ndëshkimore dhe luftimet e përgjakshme mes forcave partizane dhe trupave gjermane në bashkëpunim të hapur me ato koloboracioniste ballisto-zogiste, Gjenerali Devis i propozonte Qeverisë Britanike:
“…… Qeveria e Britanisë Madhe duhet të denoncojë Këshillin e Regjencës, “Ballin Kombëtar” dhe Zogistët, të cilët po bashkëpunojnë hapur dhe plotësisht me gjermanët kundër forcave partizane të Ushtrisë Nacional Clirimtare. – Në të njëjtën kohë qeveria Britanike duhet të dalë hapur në favor të Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe forcave partizane. – Po ashtu kërkoj të urdhëroni që të largohen oficerët e SOE-s nga territoret e kontrolluara nga Ballit Kombëtar.” (12)
Pak ditë më vonë, më 23 Janar 1944, ndërsa ofensiva gjermane dhe e koloboracionistëve me ta avanconte edhe më tej, vetë Ministria e Jashtme Britanike urdhëronte:
“…. Duhet të shpallet publikisht denoncimi në përgjithësi për të gjithë ata që bashkëpunojnë me gjermanët, pasi një bashkëpunim i tillë vonon clirimin e Shqipërisë dhe rrezikon pozitën e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj mes kombeve të lira Europiane.” (13)
Mbas një muaji, kur ngjarjet kishin bërë edhe më evidente qëndrimet dhe bashkëpunimin e hapur të forcave ballisto-zogiste me gjermanët, më 13 Prill 1944, vetë Ministri Britanik Rezident në Kajro njoftonte Foreign Office:
- Forcat e Frontit Antifashist dhe të Ushtrisë NCL vazhdojnë të jenë forca e vetme aktive e rrezistencës kundër gjermanëve … …
-
“Balli Kombëtar” po deklarohet pro pushtuesit, duke u reshtuar dhe kaluar në bashkëpunim të hapur me gjermanët dhe me koloboracionistë të tjerë …. (14)
Përballë kësaj situate të rëndë, ofensiva e egër e trupave gjermane në operacionin e dimrit, duket se kishte lëkundur, madje kishte vënë përballë dilemave dhe besimin e disa prej misionarëve të SOE britanike. Tek ata tashmë duket se ishte krijuar bindja se forcat partizane vështirë se do të rimernin përsëri vehten për t’u rikthyer në një forcë të vërtetë luftarake.
E rënë moralisht dhe demoralizuar shfaqet këto kohë edhe misionarja britanike Margaret Hezllak. Në informacionet e saj përgjatë muajve të dimrit të vitieve 1943-1944, drejtuar qëndrës së saj, të forcave britanike, “Force 133”, ajo njoftonte:
“… forcat partizane nuk shfaqen më askund dhe duket se ato ato janë shbërë e shpërndarë… “
– KUNDEROFENSIVA PARTIZANE
DHE KOLOBORACIONISTËT…
Këto ditë tepër të vështira për forcat e ushtrisë partizane, britanikja Hazllëk, kishte mundur të shtinte në duar një radiogram, qarkore që Hoxha i dërgonte Nako Spiros dhe gjithë formacioneve partizane, përmes të cilit ai jepte kurajë dhe besim për luftën dhe qëndresën e tyre. Hazllëk duke njoftuar Shtabin Britanik në Kajro, citonte qarkoren:
“Pikërisht, në këto ditë të vështira, Hoxha (kreu i Shtabit të Përgjithshëm të UNCL) i ka dërguar këtë radiogram qarkore Nako Spiros dhe formacioneve partizane duke u thënë: – … Me të vërtetë situata është e vështirë, shumë e vështirë, ….por, bash në këto situata të vështira të përpiqemi të mos humabasi moralin! Dhe të qëndrojmë fort”. (15)
Vetëm mbas dy muajsh, pak ditë mbas hyrjes se Marsit 1944, po kjo misionare e SOE-s, e njohur për qëndrimet jo fort realiste dhe dashamirëse ndaj Frontit Antifashist, e befasuar nga zhvillimet politike, do të njoftonte përsëri Qëndrën e saj me një vlerësim të kundërt me të parin, duke shkruar:
“Rigjallërimi i beftë i forcave partizanëve,- deklaronte ajo, – i detyrohet elasticitetit dhe manovrushmërisë të Brigadave të ushtrisë LNCl, për shumicën e të cilave një muaj më parë njoftonim se ishin shbërë e shpërndarë nga ofensiva gjermane ose gjendeshin përpara vdekjes së shpejtë…” (16)
Të rinj dhe të reja, vajza dhe djem shqiptarë vërshuan nën flamujt partizanë tani ndërsa erdhi pranvera, bashkë me ta u reshtuan edhe njerëz të moshuar, fshatrat, shtëpitë dhe kasollet e të cilëve ishin djegur dhe plaçkitur pa mëshirë nga gjermanët. Ata u grumbulluan në skamjen dhe në varfërinë e tyre ekstreme për të mbushur radhët e një organizimi në shkallë vendi për mbështetje dhe furnizim, që drejtohej nga Lëvizja NCl.” (17)
“Sistemi disiplinor i forcave partizane, njoftonin ushtarakët e SOE britanikë, – krijoi pothuaj nga hiçi një ushtri, fillimisht të reckosur, mandej formacione të bashkuara, saqë në pranverën e vitit 1944, kur ajo u hodh në sulmet e Qershorit, ndryshoi balancën e situatës dhe pushtetit në Shqipëri, brenda pak javësh.” (18)
Duke analizuar shkaqet e rritjes galopante të fuqisë partizane, në një tjetër njoftim dërguar qëndrës, misionarët e SOE rendisnin faktorët që shpunë në atë rritje befasuese të fuqisë partizane,: “ishin gjermanët dhe Balli Kombëtar, grabitjet, djegjet dhe shkatërimet që ata kishin bërë, në një farë mënyre, arkitektët e ngritjes të fuqisë së partizanëve….” (19)
Ushtaraku amerikan Hudson, i cili kishte ndjekur me vëmëndje operacionet ndëshkimore të gjermanëve dhe ballistëve, përgjatë zonës së bregdetit, që aso kohe kontrollohej nga vetë repartet e ballistëve konkludonte, “këto akte dhe të tjera e angazhuan tërësisht OSS të mbetej në përkrahje të partizanëve komunistë. Komunistët u shfaqën si i vetmi grup i rrezistencës i vendosur për të luftuar kundër pushtuesit gjerman.” (20)
Po ç’përfaqësonin në fakt repartet e ushtrisë partizane në sytë e misionarëve ushtarakë amerikanë? Peter Lukas, në librin e titulluar “Misioni amerikan në Shqipëri”, shkruan:
“Shumica e partizanëve kishin një përgatitje sipërfaqësore ushtarake, por ajo që u mungonte në përvojë, plotësohej me guximin e tyre. Pjesa më e madhe e burrave dhe djemve që përbënin ushtrinë partizane ishin pothuaj fshatarë të paarsimuar, që pak merrnin vesh nga çështjet politike pale pastaj nga komunizmi. Ajo që i bashkonte ata ishte urrjtja ndaj pushtuesit, gjermanëve dhe liria e Atdheut të tyre” (21)
Ndërsa po t’u referohemi analizave që shqyrtonin moralin, idealet dhe motivet që karakterizonin këto forca, britanikët e SOE-s, bënin me dije se: “Repartet partizane udhëhiqen nga motivi – Disiplinë, energji dhe qartësia e qëllimit – Luftë pa kompromis pushtuesit të vendit”. (22)
Reginald Hebbert, një tjetër misionar i SOE-s, duke folur për njërën nga njësitë partizane, pranë të cilave ai pati fatin të qëndronte edhe në castet e luftimeve të ashpra që ajo kreu, ne Dibër, kujton:
“Kjo brigadë, …. …. (Brigada e Parë Sulmuese) do të mbetej “corps d’elite” (korpusi-trupi elitar) i partizanëve të kalitur nga dimri i ashpër, i vitit 1943, deri në nivelin e një qëndrese të madhe. Komandanti i saj i ashpër dhe i patundur do të habiste edhe vetë David Smajlin (oficer i SOE-s), i cili ishte zhgënjyer prej tyre pak muaj më parë.
Shumë shpejt Brigada të tjera do të formoheshin, por Brigadën e Parë do t’a kishin si model të shquar për të konkuruar me të. Të gjitha ato përbënin bërthamën e një ushtrie, të afta për të vepruar lirisht nëpër të gjithë Shqipërinë, kur të vinte pranvera dhe vera.” (23)
Vlerësime të tilla lanë në kujtimet e tyre edhe misionarët e tjerë të SOE, sikundër Riçard Ridëll, Toni O. Nil, Koloneli RCL Brayane, etj. Muajt që pasuan, Mars, Prill e Maj 1944, kish bërë të qarta qëndrimet e të gjitha grupimeve dhe palëve ndërluftuese. Në një analizë të SOE, të titulluar “Shqipëria”, shkruhet:
“Lëvizja Nacional Clirimtare është e vetmja parti që ka luftuar vazhdimisht gjermanët në Shqipëri. Fraksionet e tjera politike kanë mbetur inaktive gjatë nëntë muajve të fundit… ”
…. Gjatë gjithë periudhës së dimrit 1943-1944 partizanët kanë sulmuar gjermanët dhe pikat e tyre të garnizoneve. Vetëm gjatë muajit prill u vranë dhe zunë rob 400 trupa gjermane…. (24)
Duke informuar qëndrën e tij në Bari për rritjen e fuqisë numerike të forcave partizane, më 12 Qershor 1944, misionari amerikan Harri Fulc bënte me dije:
“Raportet pohojnë se partizanët kanë krijuar 15 brigada me disa batalione të pavarura. Forcat e tyre të armatosura arrijnë në total në rreth 20-25 mijë vetë, … …. kjo shifër është konfirmuar si nga burimet tona (amerikane), ashtu dhe nga ato britanike. Kjo forcë e organizuar e brigadave partizane, duket se i kanë bindur më në fund gjermanët dhe britanikët se janë elementi më i organizuar që mund të ndikojnë në planet e të dyve.
Britanikët, siç e dini, gjatë gjithë shkurtit dhe marsit duket se po investonin shumë në atë që do të bënte Abaz Kupi, ndërkohë që ai përralliste se do të nxirrte në luftë deri në 25 mijë vetë. Por, raportet e kohëve të fundit rrëfejnë një histori krejt tjetër …”
Nuk do të kalonin më shmë se dy muaj dhe kreshendua numerike e forcave partizane do të kishte të tjerë tregues. Ushtarakët e SOE, për territoret e Shqipërisë qëndrore do ti dërgonin këtë njoftim qëndrës:
“…Megjithë rrethanat e vështira në të cilat repartet partizane u krijuan, ato gradualisht u transformuan nga njësi të vogla në formacione të rregullta ushtarake, saqë në muajin Tetor 1944, Forcat e Frontit Antifashist dhe Formacionet e Ushtrisë Nacional Clirimtare – ishin rritur në formacione prej me më shumë se 30 000 trupash, të organizuar në 1 Korpus, – 4 Divizione, – dhe 24 Brigada ….”
Duke njohur dhe vlerësuar këtë fuqi ushtarake të Frontit Nacional Çlirimtar, luftimet dhe qëndresën e saj të vendosur dhe pa kompromis kundër pushtuesve, përfaqësuesit e SOE, megjithë kundërshtitë apo mospajtimet me drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm për çështje të ndryshme të dinamikave të luftës, ata “mbështetën politikisht dhe ushtarakisht Frontin dhe Ushtrinë Nacional Clirimtare… Dërguan armatim dhe veshmbathje…. Mbështetën operacione ushtarake të Ushtrisë Nacional Çlirimtare në shkatërrimin e infrastrukturës së pushtuesit nazi fashist për të penguar qarkullimin e trupave pushtuese dhe reduktuar fuqinë e tij goditëse …. dhe së fundmi Shtabi i Aleatëve Anglo-Amerikanë në Bari vendosi komunikime të drejtpëdrejta me forcat, Brigadat dhe Divizionet partizane për të koordinuar luftimet nga toka dhe ajri (me forcat e RAF), vecmas në clirimin e Tiranës dhe gjer në clirimin e plotë të vendit,” – përfundojnë analizat e SOE-s në Dhjetor të vitit 1944.
Duke ndjekur nga afër të gjitha dinamikat e luftimeve dhe analizuar përfundimet e afërta të tyre, në një Raport Konkludiv, që Ministria e Jashtme britanike (Foreign Office) i dërgonte Qeverisë së Madhërisësë Saj, më datë 9 Tetor 1944, orjentonte se kush do të duhej të ishte “Qëndrimi politik i Qeverisë Britanike ndaj Shqipërisë”.
Në këtë raport vlerësues thuhet:
“Në të kaluarën ne jemi përpjekur të arrijmë pajtim ndërmjet Kupit dhe FANÇL për aksion të kombinuar kundër gjermanëve. Këto përpjekje kanë dështuar dhe nuk ka më ndonjë perspektivë për të pasur sukses të plotë. Nuk mund të besohet në ndonjë aksion të sinqertë kundër gjermanëve nga Kupi apo Nacionalistët (“Balli Kombëtar”), prandaj edhe ndonjë ndihmë që ne mund tu jepnim atyre, ndoshta ata do ta përdornin kundër Frontit Antifashist Nacional Clirimtar. …. Duket pra, se nuk ka alternativa të tjera kundrejt pranimit të perspektivës të një qeverie të FANCL në Shqipërinë e pasluftës.” (25)
Bashkëpunimi ushtarak dhe mbështetja që Shtabi Ushtarak i Aleatëve në Bari u dha formacineve partizane, u ngrit mbi kontributet konkrete, qëndresën dhe gjakun që kishin derdhur gjer atëhere forcat e frontit Nacional Çlirimtar. Në muajin Korrik 1944, pak para se t’i bëhej thirrje Barit për të dërguar armë për Brigadën I Sulmuese, Riçard Ridëll kishte qenë i pranishëm kur një nga batalionet e kësaj Brigade sulmoi qytetin e Peshkopisë, që mbahej nga trupa të përbashkëta gjermano-kuislinge. Ai raportonte:
“Menjëherë, u duk qartë se ata (forcat pasrtizane) ishin të mirë-organizuar dhe të disiplinuar, si kurrë ndonjëherë. Shpërndarja e municioneve (të dërguara nga ana e jonë) qe e shpejtë; të gjithë hëngrën dhe pastaj në një kohë të paracaktuar, kompania kryesore u nda në skuadra, bëri apelin dhe lëvizi.
Çdo komandant kompanie kishte një bilbil dhe e përdorte atë për të thirrur kompaninë e tij. Disiplina ishte edhe më mbresëlënëse për faktin se batalioni ishte i rreckosur, me një fjalë asnjëri nuk mbante çizme dhe shumica ecnin zbathur. Ata kishin pak për të ngrënë dhe ishin të rraskapitur pas ditësh të tëra marshimi të detyruar dhe luftimesh që kohët e fundit qenë të rënda dhe të ashpra …
Luftimi nisi rreth orës tre të pasdites dhe vazhdoi deri në muzg kur partizanët u tërhoqën sipas planit. Deri në atë moment, ata kishin mbajtur pozicionet e tyre kundër sulmeve të vazhdueshme, pa ndonjë shqetësim të dukshëm dhe duke harxhuar pak municione; derisa para se të tërhiqeshin ata nuk patën viktima, gjatë tërheqjes, patën vetëm një të vrarë dhe një të plagosur.
Forcat kundërshtare patën 26 të vrarë dhe të plagosur. Mund të dalloheshin me sy se këta partizanë ishin luftëtarë me përvojë dhe të patundur. (26)
Në këtë beteje, që vazhdoi edhe të nesërmen, për marjen e Dibrës, Divizioni i Parë partizan, u mbështet nga ajri nga “Balkan Air Force”, që pati një rol të rëndësishëm. Gjermanët mund të kenë pësuar rreth 400 të vrarë deri në fund të Gushtit, kur qyteti ra më në fund në duart e partizanëve.”
Vlerësimi i aftësive luftarake të njësive partizane ngrihej mbi vlerat, disiplinën, aftësitë luftarake dhe taktike në frontet e luftimit përballë një ushtrie të mirë organizuar. Janë të papranueshme qëndrimet që nxjerrin krye herë pas here se forcat gjermane ishin reparte periferike dhe jo njësi të rregullta të fronteve. Oficerët e SOE-s që kishin qëndruar pranë forcave partizane dhe kishin vëzhguar me vëmëndje tërë makinë ushtarake gjermane që vepronte në territoret shqiptare, raportonin:
“Aftësitë dhe përgatitja e njësive armike të angazhuara në frontin shqiptar duhet të merren mirë në konsideratë, – njoftonte qëndrën e tij më 7 Gusht 1944, Ushtaraku britanik me një karjerë të gjatë në frontet e luftimeve, Braian Ensor, –
Ushtarët gjermanë në Shqipëri nuk janë më pak të mirë se pjesa tjetër e Vermahtit. Ushtari gjerman lufton me shumë kurajë dhe vullnet. Është shumë i disiplinuar dhe nuk e konsideron kurrë pozitën e tij të humbur. Ai është jashtëzakonisht i aftë nga ana fizike dhe disponon veshje dhe pajisje të mira. Është mjeshtër i të gjitha armëve dhe i përdor ato në mënyrën më të mirë… Si një bishë, ai është i fuqishëm nga ana fizike dhe sot që dita e shpagimit po afrohet, ai po lufton betejat e fundit të dëshpëruara me jo me më pak trimëri se më parë.
Edhe në këto luftime, – vazhdon ushtaraku britanik i SOE, Ensor, – trupat gjermane qenë në një pozicion shumë të favorshëm, të fortifikuara dhe të armatosura mirë. Morali i tyre ishte i lartë dhe ata luftuan me vendosmëri të madhe, nuk pranuan të dorëzoheshin dhe u vranë të gjithë vetëm nga distanca të afërta. Vlen të përmendet se pati shumë viktima nga granatat e dorës.” (27)
Nga luftimet e zhilluara nga forcat partizane me forcat gjermane që kontrollonin jugun e Shqipërisë dhe kryesisht tërë bregdetin e Himarës dhe Sarandën, një raport i SOE-s për këto ngjarje, bën me dije: “Divizioni 297 gjerman i Këmbësorisë, forca kryesore në jugun e Shqipërisë, humbi 40 vetë dhe më se 30 vetë u plagosën dhe 25 u zunë rob. Në raportin e një komandoje shkruhet se ata ishin “në të shumtën e rasteve të rinj dhe me një trup të fortë” dhe “morali dhe durimi i tyre ishte në shkallën më të lartë.” (28)
Duke vlerësuar koordinimin mes formacioneve partizane dhe njësive brtanike të marinës dhe artilerisë, ardhur në mbështetje të tyre, në këto luftime, autori i botimit “Provinca e egër”, Roderick Bailey, duke iu referuar raporteve nga fusha e luftimeve në jug të Shqipërisë në muajt Gusht, Shtator 1944, nënvizon:
“Një sulm i dytë u realizua në vjeshtë, i cili filloi më 22 shtator, kur forca nga njësia e 2-të dhe nga njësia e 40-të Commando, të Marinës Mbretërore britanike dhe njësi mbështetëse nisën zbarkimin në një gji të mbrojtur në veri të Sarandës”..
Sulmi dhe luftimet kryesore, të datës 9 tetor 1944, u vlerësuan si të shkëlqyera ndërsa bashkëpunimi mes brigadave partizane dhe britanikëve në një nivel mjaft të lartë. Pas “luftimesh të ashpra … gjermanët humbën 15 komando, … porti ra në duart e britanikëve dhe nga ana e forcave partizane u kapën 750 robër lufte. Partizanët e Brigadës së 12-të dhe të 14-të ishin në mbështetje të këtij operacioni të madh luftarak dhe detyrat e tyre ata i kryen me sukses.
Komandua britanike krah tyre “nuk pati vështirësi të veçanta,” “dhe partizanët i zbatuan të gjitha detyrat dhe misionet luftarake që morën përsipër, pa ndryshuar asgjë nga planet gjer në momentin e fundit, … Të mbështetur nga artileria britanike, forcat partizane i sulmuan objektivat e tyre me këmbëngulje dhe guxim.” (29)
Mbresëlënës në pragun e sulmit final në Sarandë ishte një sulm partizan mbi një kolonë të motorizuar gjermane, që po nisej nga porti për të sulmuar një grup komandosh të zbulimit, kolona u spraps me humbje të dukshme dhe në fushën e luftimit, ata lanë të më shumë se 100 të vrarë”. (Radiogram. XIV, faqe 261)
Por, informacionet e misionarëve britanikë të SOE, janë edhe më me interes ndërsa ato flasin për luftimet e zhvilluar për çlirimin e Tiranës. Në raportin e hartuar nga ushtrakët britanikë ditët e para të Nëntorit 1944, për zhvillimin e operacioneve rreth Tiranës, thuhet:
– ÇLIRIMI I TIRANËS
Përmes ”Report on Operation MERCERlSED’, më datë 21 nëntor 1944, TNA WO204/8430, oficeret e SOE i shkruan qendres ne Bari:
“Pas shumë diskutimesh, me ne britanikët, dhe pasi u siguruan për mbështetjen ajrore qe do ti jepej nga ana e jone, partizanët e sulmuan kryeqytetin, Tiranen, me furi. Me sa duket, midis oficerëve gjermanë dhe partizanë kishte pasur një diskutim. Garnizonit gjerman i ishte ofruar mundësia për t’u dorëzuar. Por, kjo thirje ishte refuzuar nga ana e tyre, … kështu shkruhët në regjistrat e SOE-s, “me arsyetimin se gjenerali [gjerman] që komandonte ishte në Shkodër dhe vetëm ai mund të merrte një vendim të tillë.” (30)
Më pas, në pasditen e 11 nëntorit 1944, filloi sulmi. Nuk ishte lufta epike e portretizuar nga historitë komuniste, por e vërteta ishte se qyteti u rrethua me shpejtësi – dhe sipas raporteve të SOE-s, u zhvilluan “luftime të ashpra trup me trup dhe gjermanët pësuan mjaft viktima, në përpjekjet e shumta për të rifituar pozitat e humbura.” (31)
Aeroplanët e Aleatëve bënë 200 fluturime mbi qytet, duke hedhur në erë blloqe dhe vendndodhje kazermash, motorrat e armikut që transportonin mitralozë, duke bombarduar urat nëpër rrugët drejt qytetit dhe duke i mbajtur gjermanët vigjilentë.
Ndoshta, aksioni më i rëndësishëm ndodhi jashtë qytetit, vazhdon raporti i SOE-s. Ndërkohë që filloi beteja, një kolonë e fortë gjermane, deri në 1.500 trupa, me tanke, doli nga Elbasani dhe u nis drejt Tiranës. Qëllimi i saj i mundshëm ishte të çante rrethimin dhe të vazhdonte për në veri. Por, disa kilometra larg kryeqytetit kolona ndaloi, një patrullë e LRDG-së e kishte bllokuar rrugën duke hedhur në erë një urë rreth gjashtë metra të gjatë.
Kodrat përreth ishin të mbushura me partizanë dhe për tre ditë kolona u ndodh nën sulm dhe në goditje të vazhdueshme. LRDG-ja, duke parë të gjitha këto, raportoi më pas se, kur gjermanët e riparuan më në fund urën, lanë pas “sasi të mëdha pajisjesh, mjete motorike dhe karroca të tërhequra me kuaj,” ndërkohë që “sapo kolona filloi të lëvizë përpara,” avionët e aleatëve mbërritën për ta bombarduar dhe shpartalluar atë.
“Rezultati ishte një disfatë. Të mbijetuarit gjermanë u përpoqën të vazhdonin të ecnin në këmbë, dhe partizanët i sulmuan përsëri. Shumë pak, për të mos thënë asnjë nga këto trupa, arritën në Tiranë dhe të gjitha mjetet dhe pajisjet e tjera u shkatërruan nga avionët ose u kapën nga partizanët.” (32)
I rrethuar dhe pa asnjë shpresë shpëtimi, garnizoni i dëshpëruar ishte çorganizuar. Disa nga njësitë e tij u arratisën dhe në tërheqje muarrën rrugën drejt veriut. Raportet e ushtarakëve britanikë dhe amerikane përshkruajnë me mjaft hollësi këtë situartë, duke bërë me dije se mjaft forca gjermane të vendosura në qëndrimet e tyre, për të mos u dorëzuar gjer në vdekje “kishin luftuar me vendosmëri deri në fund dhe në disa raste kishin refuzuar të dorëzoheshin edhe kur s’kishin mundësi tjetër”.
Duke pasqyruar me hollësi këto orë vendimtare të luftimeve për clirimin e Tiranës, raportet e SOE-s ofrojnë tablo rënqethëse të masakrave gjermane mbi këtë qytet.
“Shpresat e vrara dhe situatat e rënda i kishte bërë gjermanët të ishin “më të pamëshirshëm. Në një shtëpi, ushtarët gjermanë kishin gjetur një nënë, tre bijat e saj dhe një djalë tetëmbëdhjetëvjeçar. Djalin e kishin goditur me thikë për vdekje në sy të grave dhe më pas e kishin bastisur shtëpinë.”
Në një tjetër, ata “i kishin shkrehur armët me breshëri” mbi dy familjet që ndodheshin brenda. “Nga trembëdhjetë veta, dymbëdhjetë kishin vdekur në vend. Vetëm një fëmijë i vogël kishte mundur të ikë.” (33)
Në mëngjesin e 17 nëntorit 1944 luftimet në Tiranë mbaruan. Qindra partizanë hynë në qytet. Dy ditë më vonë, kur komandantët e Korpusit të Parë Partizan i lejuan përfundimisht oficerët e SOE-s dhe OSS-së të vizitonin qytetin, misionet vunë re se partizanët e kishin situatën nën kontroll. (Radiogram, XIII a, faqe 267)
Informacionet e SOE-s dhe kujtimet e ushtarakut britanik, Laiwn i përshkruajnë kështu këto orë të lirisë në Tiranë:
“Pas tyre ecte Stefani, Ivanovi dhe Stojniqi, të ndjekur nga një grumbull partizanësh. … Kur hymë në qytet, rruga ku kaluam ishte e shkatërruar nga bombardimet”
“Më kujtohet sidomos një xhami e dëmtuar rëndë me minaret e saj ende në këmbë dhe shenjat gjermane të trafikut, disa të copëtuara, të cilat ngriheshin kryeneçe drejt qiellit. Ndërkohë që i afroheshim qendrës së qytetit, turma po zmadhohej. Vajza të reja me kostume fshataresh, me lule në flokë, brohorisnin. Zhurma po bëhej gjithnjë e më e madhe. Hymë përmes sheshit Skënderbej dhe ecëm nëpër rrugën kryesore të qendrës, drejt ndërtesave të Qeverisë.” (faqe 268)
Në mësin e muajit Nëntor të vitit 1944, ndërsa forcat partizane ishin duke ndjekur repartet e fundit të ushtrisë gjermane, drejt tërheqjes përfundimtare përtej kufijve veriorë të Shqipërisë, në një analizë të hollësishme rreth politikave që duhet të ndiqte Qeveria britanike ndaj Shqipërisë, Drejtoria Politke e Luftës e Ministrisë së Jashme Britanike, më 24 Nëntor 1944 bënte një analizë përfundimtare, për të gjitha forcat dhe faktorët politikë të pranishëm në ngjarjet dhe skenën e përgjakshme të fuftimeve në Shqipëri. Në të shkruhet:
“Në të vërtetë nuk ka asnjë opozitë reale politike ndaj UNÇL. “Balli Kombëtar” është shpërndarë. Partia zogiste “Legaliteti” e Abaz Kupit nuk arriti të krijojë një opozitë efektive ndaj gjermanëve dhe u shpërnda. Vetë Abaz Kupi është zhdukur. Gjon Marka Gjoni më në fund u kompromentua me gjermanët dhe humbi cdo shans që mund të ketë pasur për të fituar mbështetje të gjërë në Veri të vendit. Përkrahësit e Muharrem Bajraktarit u larguan nga ai dhe tani përbëjnë bërthamën e një prej Brigadave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare… (35)
– DISA VLERËSIME PËR
DOKUMENTACIONIN E SOE-S
PËR HISTORINË E LUFTËS SHQIPËRI
Parë në tërësinë e tij, i tërë dokumentacioni arkivor britanik i Luftës se Dytë Botërore, veçmas ai i Misionit Ushtarak Britanik (SOE-s), i cili pasyron zhvillimet dhe rezistencën antifashiste në vendin tonë, bashkë me to ditaret dhe kujtimet personale të mbajtura nga ish misionarët e atyre kohëve, në ditët e krismave, rënkimet e të plagosurve apo nderimin e të rënëve; në frontet e luftimit, në çaste çlodhjeje apo meditimi, ndërkohë që ndiheshin ende krismat e luftës dhe nuk ishte larguar akoma era e barutit, një pjesë e tyre e mbledhur dhe botuar me shumë kujdes nga historiani britanik Bailey, na japin një panoramë të gjallë dhe objektive për tërë ato ngjarje të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
Sigurisht, gjenden mes materialit shkrimor dhe informacioneve arkivore vlerësime të dyzuara apo kontradiktore. Ato ishin të tilla pasi misionarët britanikë në fillimet e tyre e kishin të vështirë të njihnin mentalitetin, historinë, terrenin, dhe të kaluarën e banorëve ku ata do të vepronin. Ata erdhën në kontakt me përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullisë vendase, me pjesëtarë të grupimeve të ndryshme politike shqiptare, me formim dhe botëkuptime diverse, me intelektualë, të vendosur apo të lëkundur, me monarkistë, republikanë apo komunistë, partizanë të vendosur me eksperiencë në fushat e luftimit apo të rinj me vullnet e shpirt të paepur, me Shtabin e Përgjithshëm dhe udhëheqjen e tij, por edhe koloboracionistë dhe koloboratorë, të cilët zbuluan qëndrimet e tyre në momentet e vështira, kur përcaktoheshin fatet e vendit.
Për këto arsye, jo rrallë, marrëdhëniet e ushtarakëve britanike me përfaqësuesit e Frontit Antifashist Nacional Clirimtar qenë të tensionuara, mosbesuese, mandej korekte dhe miqësore… Vlerësimet dhe qëndrimet e britanikëve duket qartë në shumë raste se ndikoheshin edhe nga bindjet e tyre personale politike, pasi një pjeësë e tyre vinin nga formimet politike monarkiste, republikane, konservatore apo liberale, në varësi të origjinës së tyre familjare dhe të formimit të tyre politik, doktrinar e filozofik.
Ky formim pati ndikuar edhe në qëndrimin që ata mbajtën ndaj grupimeve të ndryshme politike shqiptare. Pozicionimi që ata morën, qëndrimet që ata mbajtën për çështje dhe ngjarje të caktuara ishte pasojë edhe e këtij formimi.
Megjithatë, në thelb pasqyrimi dhe vlerësimi i realiteteve politike dhe ushtarake me të cilat ata u ndeshën në territorin shqiptar, në informacionet, analizat dhe telegramet periodike që ata i dërgonin aso kohe qëndrës në Londër, Kajro apo Bari, karakterizohet kryesisht nga objektiviteti dhe korektësia.
Themi “kryesisht” pasi, është e kuptueshme që në këtë botë humane me lidhje, origjinë sociale, moral dhe tradita familjare diverse, me bindje dhe shkollim të ndryshem, me anësi politike, me formime, ndikime nga doktrina dhe filozofi asnjehere të njëjtë, pjesa më e madhe e ushtarakëve britanikë fare të rinj, me eksperienca të pakta apo të pamjaftueshme ushtarake, të pa përballur ndonjëherë me frontet e luftës, me profile karakteriale asnjëherë të njëjtë, padyshim që do të kishte edhe vlerësime asimetrike, jo rallë kontradiktore të realiteteve me të cilat ata përballeshin.
Megjithatë, dokumentacioni arkivor britanik, i SOE-s dhe ai amerikan i OSS, mbetët një fond me vlera që pasyron përgjithësisht me realizëm atë qëndresë heroike të popullit shqiptar, forcave të armatorura, të Ushtrisë, Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Partisë Komuniste, kundër pushtuesve nazi-fashistë. Pa mëdyshjen më të vogël, një vend të rëndësishëm në vlerësimin e asaj epopeje, që na renditi në anën e historisë dhe të Aleancës së madhe antifashiste, ka edhe dokumentacioni i fondit dhe arkivave shqiptare, raportet dhe radiogramet e luftës, ato të Shtabit të Përgjithshëm, kujtimet e partizanëve, etj.
Pa to kurrsesi nuk mund të bëhet një vlerësim realist i atij kontributi të madh dhe heroik i luftës së popullit shqiptar. Ato japin një pasqyrë të plotë, të gjithanëshme dhe pa ekuivoke të asaj qëndrese që renditi vendin tonë në anën e nderuar të Aleancës fitimtare, duke u bërë kështu pasaporta historike që ruajtuajti defimnitivisht sovranitetin, pavarësinë dhe terësinë e territoriale të Shqipërisë mbas luftës./ DITA