Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë tre të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, i cili dyshohet se e ka porositur vrasjen e saj. Pas arrestimeve, ka reaguar familja Ademaj.
Vëllai i Liridonës, Liridon Ademaj ka thënë se do të zhvarrosin trupin e familjares së tyre, e cila dje u varros në varrezat e familjes Murseli. “S’ka pas problem, asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë do zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje”, ka deklaruar Ademaj për Insajderin.
Ai tha se i kanë dhënë dy ditë ditë besë familjes Murseli. “I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, ka deklaruar ai. Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.