Një biznesmen shqiptar është vënë në pranga në kuadër të një operacioni nga Policia greke pasi dyshohet se si pronar i një kompanie që fitonte tendera publikë, vidhte makineri të rënda. Ai akuzohet për të paktën tre raste, sipas asaj çka shkruajnë mediat greke. Ndonëse emri i biznesmenit në fjalë nuk bëhet publik, dihet se viktimë e tij është bërë edh kryebashkiaku i Lamias në Greqi, Panourgias Papaioanou.
Këtij te fundit, grupi kriminal i përbërë nga dy meshkuj dhe dy femra shqiptare, i kanë vjedhur 2 eskavatorë me vlerë 245 mijë euro, ngjarje e ndodhur të martën e shkuar ne Ftiotidha. Njëri nga eskavatorët është gjetur, por tjetri ende jo. Policia greke beson se ndodhet brenda territorit grek, pasi grupi kriminal nuk besohet se ka pasur kohë ta trafikonte në Shqipëri.
Policia greke ka zbuluar një grup shqiptarësh të cilët vidhnin mjete të rënda transporti në Greqi, si eskavatorë, me qëllim trafikimin në Shqipëri. 2 burra shqiptarë kanë rënë në pranga dhe 2 femra shqiptare janë shpallur në kërkim, ndërkohë që u zbuluan 3 vjedhje me vlerë 645 mijë euro.
Operacioni i policisë greke u zhvillua në Janinë, ku u kryen arrestimet ndërkohë që policia ka sekuestruar një kamion dhe një automjet luksoz me targa shqiptare si dhe disa nga mjetet e rënda të vjedhura. Në veçanti, sipas hetimeve policore, të dyshuarit, të paktën që nga shtatori, duke zotëruar njohuritë dhe mjetet e duhura, janë bashkuar me qëllim vjedhjen e makinerive të ndërtimit nga rajone të ndryshme të vendit./ Panorama