Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i bëjë thirrje Kosovës që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa do të mirëpresë hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit që po vjen.
Kjo porosi është në draftin e konkluzioneve që pritet të miratohen nga vendet anëtare të BE-së në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, më 12 dhjetor, në nivel të ministrave, e të cilat pastaj pritet të konfirmohen edhe nga udhëheqësit e BE-së, në një samit të paraparë për t’u mbajtur më 14 dhe 15 dhjetor.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e këtij dokumenti. Aty thuhet se Këshilli “ka marrë parasysh progresin e kufizuar të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit”.
Pjesa më e madhe e konkluzioneve, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri të vendit, dhe me dialogun me Serbinë.
Këshilli pritet që të shprehë “shqetësimin për shkak të mungesës së lirisë së shprehjes dhe kufizimin e pluralizmit në veri të Kosovës”.
“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe nga Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.
Këshilli pritet të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023”.