Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi tribunën e një konkursi për Vjosën të mërkurën për të marrë në mbrojtje një projektligj të deputetëve të PS për rishikimin e zonave të mbrojtura, ndërsa u kujtoi ndërkombëtarëve se qeveria e tij nuk i pranon “leksionet morale” për mbrojtjen e mjedisit.
Ai tha gjithashtu se rishikimi i zonave të mbrojtura vjen pas kërkesave në rritje të kryetarëve të bashkive dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik. Rama shtoi se mes konservimit të natyrës dhe zhvillimit ekonomik do të gjendej një “ekuilibër harmonik”.
“Na duhet turizmi i luksit për njerëzit e zakonshëm,” tha Rama duke iu referuar projektligjit, ndërsa shtoi se njerëzit e zakonshëm do të marrin “të ardhura më të mëdha”.
Projektligji për rishikimin e zonave të mbrojtura është paraqitur në Kuvend si një nismë e 12 deputetëve të Partisë Socialiste dhe synon t’i hapë rrugën lejimit të investimeve me karakter ekonomik. Ndërkohë, ekspertë dhe aktivistë mjedisorë e kanë kundërshtuar ashpër atë, duke argumentuar se kjo do të lejonte shkatërrimin e mëtejshëm të natyrës dhe biodiversitetit.
Ekspertët e mjedisit thonë gjithashtu se drafti është “një katrahurë” ligjore që bie ndesh me direktivat e Bashkimit Europian dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu mesazhet edhe për ata që i quajti “miqtë tanë ndërkombëtarë”.
“Më parë sesa të na japin leksione se si ruhet një lumë i egër, duhet t’u kujtojmë se të egër kanë qenë edhe lumenjtë e tjerë të Europës, por ata i kanë zbutur,” tha Rama.
“Leksionet morale se si duhet të sillemi me natyrën, qeveria jonë nuk i pranon dot..,” shtoi ai.