Një 22-vjeçar është arrestuar në Lezhë në kuadër të operacionit ‘Tempulli’. I riu shiste drogë në afërsi të shkollave dhe në lokalet e natës.
22-vjeçari me inicialet P. K., banues në Malësinë e Madhe, është ndaluar në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjadrit”, ndërsa gjatë kontrollit që i është ushtruar në automjet, i është gjetur një çantë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 2 kilogramë e 760 gramë.
Sipas policisë, i riu lëndën narkotike që po transportonte, do ta ndante në doza, me qëllim shitjen e tyre në afërsi të shkollave dhe në lokalet e natës. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Lezhës, për veprime të mëtejshme.