Para dy vitesh në zgjedhjet parlamentare në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës morën pjesë me një koalicion të përbashkët “Shqiptarët e Bashkuar”, me kryetar Shaip Kamberin, i cili fitoi dhe një ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Por, pa u kryer mandati i rregullt, Serbia më 17 dhjetor mban sërish zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme.
Këto zgjedhje për shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë më ndryshe pasi nuk kanë arritur të krijojnë një koalicion të përbashkët. Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë do të marrin pjesë dy lista shqiptare, “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”, që udhëhiqet nga Shqiprim Arifi dhe “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, që udhëhiqet nga Shaip Kamberi.
Shqiprim Arifi nga Alternativa Demokratike Shqiptare në një deklaratë ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte shkaktari që në këto zgjedhje po marrin pjesë dy lista të shqiptarëve, e jo një.
Arifi theksoi se në këto zgjedhje është e pamundur që të fitojë një kandidat shqiptar ulëse në parlament për shkak të garës me dy lista.
“Pas ndërhyrjes së Kurtit, rezultoi në ndarje të listës së përbashkët. Pra, tani kemi dy lista zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të parakohshme, më 17 dhjetor … Është e pamundur që të rezultojmë me një deputet së paku në këto zgjedhje…”, ka thënë Arifi.
I pyetur se pse është i rëndësishëm pjesëmarrja e shqiptarëve në këto zgjedhje, ai tha: ‘Pikë së pari është rëndësi në aspektin e unitetit që të tregojmë një unitet, e të cilën e kemi tregu në marrëveshjen e Tiranës në vitin 2020. Kjo marrëveshje Kurtit nuk i ka pëlqyer as atëherë, por as kësaj radhe.
Por, kësaj radhe, ndërhyrja e Kurtit ka bërë që edhe ajo marrëveshje të prishet dhe të rezultojë me dy lista. Rëndësia e parë që të jemi unik është dëmtuar, mos të them shkatërruar. Kurse rëndësia e dytë është që nëpërmjet një liste në rast se nuk do të kishte ndërhyrje nga Kurti, kishim mundur të fokusojmë debatin dhe diskursin në Parlamentin e Serbisë në favor të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilët kryesisht nga pasivizimi, por dhe diskriminimi 30 vjeçar ende po përballen me kushte të rënda të mbijetesës në Luginë të Preshevës.”