Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it në të cilën ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.
Por marrëveshja e Ohrit nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.
Në projektin e përfundimeve të takimit të vendeve anëtare të BE-së i kërkohet Serbisë vënia para drejtësisë e autorëve të sulmit të 24 shtatorit, përgjegjësinë për të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, e ka mohuar deri tani çdo lidhje me sulmin.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, tha të enjten se emri i Milan Radoiçiçit është në listën e të kërkuarve nga Policia Ndërkombëtare (Interpol). Kërkesa sipas tij është bërë nëpërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara, meqë Kosova nuk është pjesë e Interpolit për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së saj nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.