Zbardhen detaje të reja për 15 urdhër-arrestet që SPAK-u lëshoi për inceneratorin e Tiranës. Katër urdhër arreste janë ekzekutuar; Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Jetmir Llapaj. Ndërkohë është shpallur në kërkim Erjon Murataj, i cili mësohet se ndodhet jashtë vendit.
Taulant Tushe është drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Po ashtu urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte Menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes.
Urdhrat e arrestit kanë prekur sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të konsideruar më herët nga Prokuroria e Posaçme si pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës. Të katër, janë të përfshirë dhe në rastet e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit, për të cilët ata dhe janë dënuar në shkallë të parë, me përjashtim të Bllakos, i cili u shpall i pafajshëm në procesin për inceneratorin e Elbasanit.
Emra të tjerë, po ashtu të përfshirë dhe në procedurat për dy inceneratorët e parë, janë pjesë e listës së urdhër arresteve, krahas disa emrave të rinj, në nivelin e anëtarëve të komioneve të prokurimit, përveç rastit të Alba Thomës, ish drejtoresha juridike e Ministrisë së Mjedisit. Këto janë arrestimet e para për inceneratorin e Tiranës, ku hetimet janë në vijim.