Gjykata e Posaçme firmosi të premten, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie.
Por për çfarë akuzohen?
Prokuroria e SPAK-ut thotë se Klodian Zoto, firma e të cilit ishte në garë për koncesionin e inceneratorit i bëri vetë dokumentet sikur i donte dhe më pas ia çoi ministrisë së Mjedisit.
“Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili ua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, shtetasve Alba Thoma dhe Bledar Karoli.
Në këtë kohë, këto dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Më pas shtetasi Bledar Karoli, këto dokumente i ka nisur në drejtim të përfaqësuesve të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Inceneratori i Tiranës/ SPAK: Procedura ishte fiktive, Zoto ishte fituesi
Pasi janë bërë komentet nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, mbi Dokumentet Standarte të Procedurës, është bërë ngarkimi i dokumenteve në sistemin e prokurimit elektronik nga shtetasja Valbona Ballgjini, Kryetare e Komisionit të dhënies së koncesionit, njëkohësisht me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mjedisit.
Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, Ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit” sipas SPAK-ut.
Inceneratori i Tiranës/ SPAK: Drejtori i Veliajt i dha 8 pikë Zotos pa parë kostot









