Ah, sa të lexoj edhe këtë postim! Jo dhe aq interesante? Atëherë më poshtë, me siguri që përmbajtja tjetër është edhe më interesante. Kush qarkullon në X (Twitter), Facebook ose TikTok i njeh mirë këto impulse dhe e di mirë se si nga një impuls sa-të-hedh-një-sy bëhen një ose dy orë. Mediat sociale janë të kudogjendura. Në smartphone ose kompjuter, kur ndodhemi në punë ose në kohën e lirë, ne bisedojmë, bëjmë postime ose konsumojmë përmbajtje të ndryshme që ofrohen prej të tjerëve. Kjo ka edhe anën tjetër të medaljes. Sepse numri i njerëzve që konsumojnë pa masë mediat sociale, është duke u rritur vazhdimisht.
Me përfitim apo dëm?
A janë pra rrjetet sociale djalli vetë? “Roli i tyre është të paktën ambivalent”, thotë Tobias Dienlin, profesor për komunikimin interaktiv në Universitetin e Vjenës.
“Ka shumë përmbajtje të kota, por ka edhe përmbajtje prej të cilave përfitojmë. Dhe njeriu mund t’i përdorë mediat sociale në mënyra të ndryshme: Njeriu mund t’i përdorë gjërat sa për konsum, por mund t’i përdorë ato edhe në mënyrë aktive për të komunikuar me të tjerët dhe për të ruajtur marrëdhëniet.”
Sa kohë që këto bëhen me masë, çdo gjë është në rregull. Kur fillon përdorimi pa masë, atëherë për disa konsumatorë kjo gjë kthehet në problem. Deri tani nuk ka pasur ndonjë përkufizim mjekësor për varësinë nga mediat sociale.
“Por meqenëse nuk ekziston diagnoza, nuk do të thotë se fenomeni nuk ekziston,” thotë Dienlin. Kur përdorimi i mediave bëhet aq i tepruar, saqë njeriu nuk arrin të bëjë punët e tjera të rëndësishme, kur njeriu vetë do që të përdorë më pak mediat sociale, por nuk është në gjendje ta bëjë këtë, kur marrëdhëniet sociale lihen pas dore, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me varësi, thotë studiuesi i mediave.
Strategjitë kundër krijimit të varësisë
Më e rëndësishmja është të shihet vazhdimisht me sy kritik përdorimi i mediave për vete dhe për fëmijët.
“Të flitet për këtë problem me gjithë familjen, të ushtrohet mospërdorimi i përbashkët i mediave, pa thënë menjëherë “mediat sociale janë krejt plehra”.
”E rëndësishme është të jetë e kufizuar koha që kalohet me mediat, dhe largimi për një kohë të caktuar nga celulari edhe fizikisht. Dhe e rëndësishme është që të mësohen sërish alternativat e tjera përveç përdorimit të smartphonit.”
Studiuesi i mediave Dienlin përmend këtu lëvizjet, sportin, hobbies, miqtë ose angazhimin vullnetar.
“Nuk është e rregullt të mendosh se ka të bëjë me mediat sociale kur dikush nuk ndihet mirë. Shpesh varësia nga smartphone është shprehje e një problemi tjetër, shprehje që tregon se mund të dalin probleme të tjera.”
Të kuptosh këtë gjë, është shpesh hapi i parë për të dalë nga varësia prej smartphonit.