Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Ervin Mete njoftuan sot se qeveria ka rialokuar përmes një akti normativ në buxhet një shumë prej 20 miliardë Lekësh që do të shkojnë për shpërblime, borxhet për bashkitë dhe investime.
Parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet dypalëshe të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanë marrë edhe nga Komisioni Evropian.
Ministri sqaroi se disa kategori do të përfitojnë një shpërblim deri në 10 mijë lekë, ndërsa punonjësit e administratës, pjesë e procesit të integrimit do të marrin një pagë shpërblim. Gjithashtu, ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë.
Për të sqaruar detajet e këtij akti normativ zhvilluam një bisedë në “Skype” me ekspertin e ekonomisë Eduart Gjokutaj. Ai sqaroi si do të ndahen këto 20 miliardë lekë dhe kategoritë që përfitojnë shpërblime. Më poshtë intervista e plotë me zotin Gjokutaj për “5Pyetjet.al”.