Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për buxhetin 2024 me 63 vota.
Në momentin që ligji u votua, në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë deputet i opozitës, ndërsa asnjë nga amendamentet e propozuar nga deputetët opozitar nuk mori përkrahjen e shumicës.
Buxheti për vitin 2024 do të jetë 3.3 miliardë euro, ose 100 milion euro më shumë se ai i vitit aktual.
Kryeministri, Albin Kurti me anë të një postimi në “facebook” ka falënderuar deputetët për voton dhe është shprehur se me këtë buxhet do të forcohet mbrojtja e Kosovës, rritet sigurie dhe nxitet punësimi.
“Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35% më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend” ka shkruar Kurti.