Ditën e nesërme Etrit Berisha do ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij përball trajnerit që e la jashtë fushave të futbollit për gati 1 vit.
Empoli, ekipi ku luan Berisha, do të përballet me Torinon, dhe si kundërshtar do të ketë pikërisht trajnerin Ivan Juriç.
Tekniku i “granatave” nuk tregoi kurrë besim tek portieri i Kombëtares shqiptare, madje nuk e konsideronte as si portierin e dytë të Torinos.
Kroati vendosi t’i besonte portën serbit Milinkoviç-Saviç edhe pse Berisha bëri mirë sa herë luajti me fanellën e Torinos dhe më pas e nxori plotësisht jashtë planeve të skuadrës duke mos e grumbulluar për muaj me radhë.
Kalimi tek Empoli ishte një “ilaç” për Berishën, ekip me të cilin ka fituar vendin e titullarit madje duke rezultuar deçiziv në shumë përballje për të tijët.
Siç ka shpjeguar sot vetë trajneri Andreacoli, i cili theksoi se në këtë pikë i besonte plotësisht këshillave të përgatitësit të portierëve.
“Unë bëj shpesh formacione të ndryshme, këtu mund të përfshihet edhe portieri. Por në këtë rast, unë i besoj Siçinjanos (përgatitësit e portierëve), me të cilin bie dakord mbi zgjedhjen. Berisha po rritet, e shoh, në të kaluarën e kuptoja më pak, por tani po del në pah. Nuk kemi hierarki të saktësuara”, theksoi trajneri i Empolit sot në konferencë për shtyp.