Opozita e drejtuar nga Sali Berisha po bëhet gati që të protestojë ditën e hënën në 12:00 përpara Kryesisë së Kuvendit në të njëjtën orë që do të mblidhet Këshilli i Mandateve për të vendosur për kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit. Deputeti i PD-së, Edmond Spaho në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” deklaroi se Sali Berisha duhet mbrojtur përballë SPAK-ut.
“Nuk kam fare ndrojtje ta pohoj këtë që duhet mbrojtur zoti Berisha, sepse është institucion kryetari i PD-së, nuk ka të bëjë me emrin. Pa hyrë pastaj tek çështja që është e stisur. Nëse nuk reagojmë kur kryetarin e partisë përpiqen me forma jo ligjore ta mbyllin në arrest shtëpie, kur do të reagojmë ne?!”.
Ai tha se vetë nuk do ta votojë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Berishës. “Nuk ka arsye përse të mbështesim kërkesën për heqjen e imunitetit për zotin Berisha. Nëse pushteti, Rama, shumica përpiqen të nxjerrin jashtë loje kryetarin e opozitës ne do të reagojmë. Nuk ka përse të kemi komplekse se po ngrihemi të mbrojmë zotin Berisha. Po more. Sa kohë ndiqet për një çështje të stisur. Keq tokën ish-pronarëve” tha ai.
Vendimin për protestën, tha se e mori Kryesia dhe jo grupi. “Vendimi për protestat në Kryesi. Nëse në grup ka njerëz që nuk bien dakord me këtë vendim vepron mekanizmi i shumicës. Por edhe nëse nuk i nënshtrohen vendimit të shumicës është puna e tyre”. “Edhe 50 veta të dalin të hënën në Tiranë është pozitive. Ky është fillimi. Kryesisht zona rrotull Tiranës, Kamza, Durrës, Elbasan. Këtyre zonave do u bëjmë thirrje, qytetarëve, aktivistëve që të vijnë të protestojnë” tha ai.
Por cili është skenari i mosbindjes civile të hënën, a do të tentohet të bllokohet puna e Këshillit? “Nuk di të them nëse qytetarët do të bllokojnë dhe nuk do të lejojnë njerëzit apo anëtarët e komisionit të futen. Mosbindja civile do të nisë me bllokim rrugësh. Unë nuk kam parë ndonjë protestë paqësore, rrallë në BE. Edhe në këtë rast mund të prisni gjëra të tilla”.