Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një vizitë në Bajram Curri, ku kërkoi që vëmendjen kryesore të policisë ta marrë hetimi i ngjarjeve të vjetra, me qëllim dhënien fund të pandëshkueshmërisë së të shkuarës.
“Asnjë ngjarje kriminale me numrin e lartë të turistëve, që erdhën për të shijuar burimet e bukura natyrore. Kemi arritur në konkluzionin se forca dhe sundimi i ligjit në Tropojë është në koeficientin më të lartë dhe merita i takon secilit prej jush, drejtuesve dhe mbi të gjitha banorëve të zonës. Vitin e ardhshëm do të kemi më shumë turistë, duhet rritur përgjegjësia.
Hetimi i ngjarjeve të vjetra dhe dhënia fund e pandëshkuemërisë duhet të jenë vëmendja kryesore. Edhe krimet e së shkuarës, kryesisht ato ndaj pronës e personit, ne duhet që të vazhdojmë punën hetimore.
Nuk duhet t’i gëzohemi faktit që tani s’kemi ngjarje kriminale, por kemi përgjegjësinë që të bëjmë drejtësi. Publiku na vlerëson për çdo hap që hedhim edhe në këtë drejtim,” deklaroi ai.
Balla foli për domosdoshmërinë e forcimit të kontrolleve policore, kundër armëmbajtjes pa leje.
“Duhet dekurajuar armëmbajtja pa leje. Do të minimizosh fenomenin e ngjarjeve kriminale, lufto armëmbajtjen pa leje! Sepse pjesa më e madhe e ngjarjeve ndodhin në gjaknxehtësi dhe posedimi i një arme pa leje është burim i një krimi të rëndë, kundër jetës së një personi.
Thirrje banorëve, t’i vetëdorëzojnë armët pa leje. Na duhet të rritim komunikimin me komunitetin. Do të nisim një fushatë, vitin e ardhshëm, duke incentivuar dorëzimin e armëve pa leje,” tha ai.