Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për “probleme” të paspecifikuara me Finlandën, dhe ka thënë se ka urdhëruar krijimin e një distrikti të ri ushtarak në rajonet kufitare me shtetin nordik.
Komentet e bëra në një intervistë që pritet të publikohet të dielën, vijnë teksa rriten tensionet mes dy vendeve fqinje, si rezultat i luftës së nisur të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, dhe vendimit të shpejtë të Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s.
Javëve të fundit, Finlanda i ka mbyllur tërësisht kufijtë me Rusinë, për shkak të rrijtjes së numrit të migrantëve, kryesisht prej Lindjes së Mesme, me kërkesa për azil.
Finlanda mbyll kufirin me Rusinë për shkak të emigrantëve
Numri në rritje i migrantëve të mbledhur në pikat kufitare i ka forcuar bindjet e Finlandës që autoritetet ruse po tentojnë t’i shtyjnë migrantët për të udhëtuar drejt Finlandës, me qëllim të destabilizimit të shtetit.
Finlanda i ka hapur për pak dy pika kufitare më herët gjatë kësaj jave, mirëpo më pas i ka mbyllur ato.
“Ne kemi dëshmi që tregojnë se për dallim nga e kaluara, autoritetet kufitare ruse, jo vetëm që po i lejojnë njerëzit pa dokumente që të nisen drejt kufirit finlandez, por edhe janë duke iu ndihmuar vazhdimisht,” ka thënë ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen.
Finlanda ka hequr dorë nga politika e saj e neutralitetit, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe këtë vit është bërë anëtarja e 31-të e NATO-s.
Prej atëherë, Finlanda e ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime, dhe u ka lejuar aeroplanëve të NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë.
Në disa pjesë të intervistës për televizionin shtetëror rus, Putin deklaron rrejshëm se Perëndimi e ka tërhequr Finlandën në NATO./REL
Artikulli i plotë këtu.