Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e vështirë të sektorit fason në vend, gjatë vizitave të saj në Tiranë dhe Shkodër.
Sipas saj, ky sektor po përballet me një krizë të thelluar, e cila rrezikon si aktivitetin e bizneseve, ashtu edhe vendet e punës.
Tabaku theksoi se zhvlerësimi i euros ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove dhe uljen e konkurrueshmërisë së kompanive shqiptare në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Itali.
Ajo vuri në dukje se shumë ndërmarrje kanë humbur kontrata të rëndësishme dhe po përballen me vështirësi për të mbijetuar.
Sipas saj, situata rëndohet më tej nga taksat, rritja e pagës minimale dhe procedurat doganore, të cilat e vendosin sektorin në disavantazh krahasuar me vendet e rajonit.
Tabaku kërkoi ndërhyrje me politika mbështetëse për prodhimin vendas dhe forcimin e fuqisë punëtore, duke paralajmëruar se pa masa konkrete, rrezikohen seriozisht punësimi dhe zhvillimi i sektorit.









