Një adoleshent ukrainas, të cilin forcat ruse e kishin dërguar me zor në Moskë në vitin 2022, u ribashkua me familjen e tij. Atij iu plotësua dëshira e ditëlindjes që e kishte muajin e kaluar.
Bohdan Yermokhin u rrit si jetim në Mariupol, një qytet në rajonin e Donjeckut në Ukrainë, vend ky që u rrethua në javët e para të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndërsa forcat ruse morën kontrollin e qytetit, Yermokhin ishte në mesin e 20,000 fëmijëve për të cilët Ukraina thotë se janë dërguar jashtëligjshëm në Rusi prej fillimit të luftës.
Ai u mbajt në Rusi kundër dëshirës së tij derisa u lirua më 19 nëntor, ditën kur i mbushi 18 vjet, pas ndërhyrjes ukrainase dhe asaj ndërkombëtare.
Për largimin e tij nga vendlindja së bashku me 31 fëmijë të tjerë ukrainas, ai foli këtë muaj me Maryana Sych, nga shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë.
Nga shtëpia e tij e re në kryeqytetin ukrainas, ai foli për përpjekjet e Moskës për ta tërhequr atë në ushtrinë ruse për të luftuar kundër vendit të tij, si dhe për dëshirën e tij për të shpëtuar nga Rusia.
Radio Evropa e Lirë: Bohdan, tani jemi në qendër të Kievit. A keni qenë këtu më parë?
Bohdan Yermokhin: Jo, nuk kam qenë kurrë këtu. Por, këtu është shumë bukur.
Radio Evropa e Lirë: Rreth nesh shihni pajisje ruse të shkatërruara. Çfarë ndien, çfarë mendimesh ke kur shikon?
Bohdan Yermokhin: Ndiej ngrohtësi në shpirt. Ndiej se do të fitojmë së shpejti, se shpirti ynë nuk është i prishur dhe se jemi më të fortë se kushdo./REL
Artikulli i plotë këtu.