-sidi education-spot_img
0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Shqiptarët e tjerë të Zvicrës

Kryesoret

Të panumërt janë njerëzit e suksesshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër. Por nganjëherë duhet kushtuar vëmendje edhe shqiptarëve të tjerë – atyre që gjuajnë me revole për arsye qesharake. E edhe atyre që merren me shantazh

Një gjykatë në Zvicrën lindore javën që shkoi trajtoi një lëndë e cila ka dy kapituj: një qesharak, tjetrin tragjik. I akuzuari, sot 36-vjeçar, punonte në pranverën e vitit 2021 si kamerier dhe shef i një restoranti në një fshat të Zvicrës lindore. Ai është shqiptar nga Serbia. Për shkak të masave kundër pandemisë, atëbotë mysafirët e lokalit shërbeheshin vetëm në ambient të hapur, vetëm katër persona mund të uleshin rreth një tavoline dhe kur hynin në lokal, ata duhej të bartnin maskë.

Një ditë, në lokal erdhën dy mysafirë, të dy shqiptarë. Kamerieri ua bëri menjëherë të qartë se ata duhet të bartin maskën. Mysafirët u mllefosën. Sjelljen e kamerierit e cilësuan si arrogante dhe ofenduese. Më vonë ata thanë se kamerieri paskësh folur keq edhe për familjet e tyre. Kështu nisi një konflikt në fund të të cilit do të kërciste alltia. Një mbrëmje tjetër, dy mysafirët dhe kamerieri u pajtuan me propozimin që konflikti mes tyre të zgjidhej pas mbylljes së restorantit dhe gjatë një bisede sqaruese pas barit.

  Në vend të bisedës, kamerieri nxori revolen dhe hapi zjarr kundër dy mysafirëve. Të dy i qëlloi në këmbë, njërin edhe në shpinë. Me muaj të tërë ata nuk qenë në gjendje të punojnë dhe iu nënshtruan disa operacioneve. Njëri punon ende me orar të shkurtuar, ka dhimbje dhe nevojë për psikoterapi, shkruan shtypi lokal i Zvicrës lindore. Kamerieri kishte shtënë sepse ishte ndier i lënduar në krenarinë e tij, tha prokurorja. Ky është, sipas saj, një motiv që duhet përbuzur. Me fjalë të tjera: harrojeni krenarinë ballkanike, ajo shpeshherë është vetëm derivat i mendësisë primitive. Para gjyqit kamerieri tregoi një version krejt tjetër. Tha se ishte ndier i kërcënuar nga dy mysafirët e lokalit dhe kishte shtënë në tokë.

Pas budallallëkut në restorant, kamerieri iku në Serbi, shtetas i së cilës është, por atje nuk u ndie rehat. E dinte se po kërkohej me fletarrest ndërkombëtar dhe mund të arrestohej. Mbase frikësohej se mund të dënohej në Serbi dhe ta përjetonte nga brenda krejt rehatinë e burgjeve serbe. Pas gjashtë muajsh në Serbi, ai iu dorëzua policisë hungareze e cila pastaj e transferoi tek autoritetet e Zvicrës. Gjykata do ta publikojë aktgjykimin me shkrim pas një kohe të caktuar.

Këto ditë Gjykata Federale e Zvicrës, instanca më e lartë gjyqësore e vendit, u ballafaqua me një ankesë të një shqiptari. Ai donte t’i shmangej dënimit me burg. Meqë historia është e gjatë, ajo duhet rrëfyer nga fillimi: në vitin 2015 persona të panjohur demoluan enterierin e një bari në qytezën Grenchen. Pastaj ndodhi diçka e çuditshme: një njeri dhe dhëndri i tij (të dy shqiptarë) e bindën pronarin e barit se ai ka nevojë për “mbrojtje”. Para gjyqit vjehrri e dhëndri thanë se pronari i barit i kishte punësuar si roje. Pronari i barit tregoi një version krejt tjetër: sipas tij vjehrri e dhëndri e kërcënuan dhe kërkuan para prej tij, andaj pronari i barit iu drejtua policisë. Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë në kantonin e Solothurnit e dënoi vjehrrin me 42 muaj burg, dhëndrin e tij me 36 muaj. Vjehrrit nuk i pëlqyen fare dënimet, andaj iu drejtua gjykatës në kantonin e Solothurnit me një kërkesë për pezullim të dënimit me burg. Gjykata nuk e trajtoi kërkesën. Vjehrri nuk u dorëzua. Iu drejtua Gjykatës Federale në Lausanne me argumentin se është marrë vesh me të dëmtuarit, të cilët tani gjoja po e shfajësojnë. Si dëshmi për këtë prezantoi disa “vërtetime”. Por ngjashëm si instanca paraprake edhe Gjykata Federale ishte e mendimit se “vërtetimet” nuk janë të vërteta, thënë ndryshe: janë falsifikim.

Gjykatat supozojnë se vjehrri me kërkesën e tij po përpiqet t’ia ngarkojë krejt fajin dhëndrit të tij. Gjatë gjykimit u angazhuan shumë policë për të evituar një përleshje mes vjehrrit dhe dhëndrit. Gjykata Federale e Zvicrës përveç se refuzoi kërkesën e vjehrrit shantazhues, i dërgoi atij edhe një përshëndetje të përzemërt: një faturë prej 3000 frangash në emër të shpenzimeve të gjykatës.

Këto ditë në qytetin e Lenzburgut u dënua me burg disamujor (me kusht) një kosovar të cilin gazeta lokale e quajti Lorik (emër i shpikur). Loriku u dënua për shkak të tregtisë me hashash, për shkak të posedimit të kokainës, për shkak të pornografisë dhe imazheve të dhunshme. Gjykata shqyrtoi edhe mundësinë e dëbimit të tij nga Zvicra. Loriku tha se kjo masë do të ishte e barabartë me vdekjen sepse, siç sqaroi, ai nuk paskësh asnjë lidhje me Kosovën. Prokurori tha se Loriku rren në çdo sekondë. Gjykata u tregua pak tolerante. Nuk e dëboi Lorikun nga Zvicra. Por Loriku është 30-vjeçar. Ka kohë për budallallëqe të tjera.

Këta janë shqiptarët e tjerë të Zvicrës, persona si Loriku, ose si vjehrri me dhëndër që shantazhojnë një pronar bari apo një kamerier shqiptar që “krenarinë” e mbron duke plagosur dy shqiptarë të tjerë./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit