Zgjedhjet më 2023 përgatitën Serbinë për botën e dëshiruar të çudirave të vitit 2024 – me Rusi fitimtare, Evropë që anon kah e djathta e skajshme dhe Trumpin në krye të Amerikës – një botë që, shpreson presidenti Vuçiq, do të fillojë të kërkojë ngjashmëri me Serbinë e sotme.
1. Aleksandar Vuçiq, Qendra politike e Serbisë
Në zgjedhjet e sapombajtura në Serbi fitoi njeriu që nuk u kandidua, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fitoi për parlamentin për të cilin nuk u kandidua dhe fitoi për kryetarë komunash, për të cilat nuk u kandidua. Fitoi në emër të Partisë kryetar i së cilës nuk është.
Kritikët e fitores së tij adresojnë nënshtrimin servil të medieve kryesore të vendit. Gjithashtu, adresojnë përdorimin e fondeve publike për qëllime partiake. Në këto zgjedhje, po ashtu u kritikua për manipulim zgjedhor, prej “trenit bullgar”, e deri te 40 mijë serbë të Bosnjë e Hercegovinës të sjellë me autobusë për të votuar për partinë e cila i solli me autobusë në Beograd.
Por, edhe duke i marrë parasysh këto vërejtje, Vuçiqi i ka fituar këto zgjedhje duke e shndërruar veten në qendrën politike të Serbisë. Në të majtë e në të djathtë të tij kanë mbetur partitë që nuk u bënë as më të majtë e as më të djathtë se ai dhe me më pak se 10 për qind të përkrahjes mund të shndërrohen në partnerë eventualë të koalicionit qeverisës. Përgjatë fushatës, socialistët nuk arritën të tregoheshin më të mirë në ide se ç’është Vuçiqi në shpërndarjen e fondeve publike dhe e djathta nacionaliste nuk arriti të tregohej më nacionaliste se Vuçiqi. Koalicioni i partive që konsiderohen si proevropiane e me emrin “Serbia kundër dhunës” nuk arritën të tregojnë si do ta bëjnë Serbinë më evropiane se Vuçiqi – do të mbahet mend deklarimi i njërit se ata do të anulonin të gjitha marrëveshjet e Vuçiqit me Kosovën – pos duke kërkuar që ai të largohet nga pushteti.
Zgjedhjet ishin referendum për dhe kundër Vuçiqit dhe Vuçiqi fitoi. Vuçiqi, natyrisht, edhe e përcaktoi diskursin e këtyre zgjedhjeve si referendum. Dhe, Vuçiqi, ani pse dukej si një lloj kërkese opozitare, përcaktoi se kur do të mbaheshin zgjedhjet. E ato mbahen, zakonisht, atëherë kur Vuçiqi beson se i fiton.
Në sondazhet parazgjedhore, numri i respondentëve që kërkonte në mënyrë konsistente një dorë të fortë në Serbi ishte gjithnjë mbi 60 për qind. Këto sondazhe i ka lexuar me vëmendje presidenti Vuçiq dhe i ofroi Serbisë atë që ajo kërkoi: që do të merret me rritjen e pensioneve e pagave, me bisedimet rreth Kosovës, me pengimin e sanksioneve kundër Rusisë, me ruajtjen e investimeve gjermane në Serbi, me demonstratat dhe demonstrantët, me kilometrat e rrugëve që do asfaltuar prej një fshati në tjetrin dhe numrin e armëve kundërajrore kineze që do blerë…
Votuesit kapërcyen problemet e veçanta dhe identifikuan forcën që duhet t’u prijë më tutje, Vuçiqin. Nëse ky do të ishte përshkrim i vënies së pushtetit në dorën e një personi, pra një autokraci, atëherë do të ishte po ashtu e drejtë të thuhej se është autokraci që reflekton një përkrahje shumice në Serbi. Një përkrahje të atyre që votuan për të; një përkrahje për të drejtën të testojë me sukses mjetet jodemokratike të mbajtjes së pushtetit deri në kufijtë e durimit të popullit të tij dhe të atyre në bashkësinë ndërkombëtare që e konsiderojnë ende si partner.
2. Serbia e luftërave të papërfunduara
Në podiumin e fitores, natën e zgjedhjeve, së bashku me presidentin Vuçiq, ishin prijësi i serbëve të Bosnjës M.Dodik dhe ai i serbëve të Malit të Zi, vojvoda çetnik e kryetar i Kuvendit të këtij vendi, A.Mandiq. Në podium do të ishte edhe M.Radoiçiq, i konsideruar si prijës (apo më mirë menaxhues) i serbëve të Kosovës, po të mos kishte dalë i pasuksesshëm operacioni i tij paraushtarak në Banjskë.
Në ligjërimin e këtyre zgjedhjeve, te fituesit dhe te shumica e partive e koalicioneve që nuk fituan, luftërat e Serbisë nuk kanë përfunduar. Prej ardhjes së presidentit Vuçiq në pushtet, Serbia dhe serbët nuk kanë gjetur formë të re akomodimi me shtetet dhe popujt fqinj, por e kanë thelluar relacionin problematik me ta. Sot çështja serbe është e hapur në relacionin e kontestimit të Kosovës, BeH dhe Malit të Zi si shtete demokratike, funksionale dhe me perspektivë euro-atlantike.
Në këtë ligjërim, luftërat e viteve nëntëdhjetë të zhbërjes së ish- Jugosllavisë nuk kanë përfunduar, në to nuk ka pasur krime të serbëve e Serbisë dhe objektivat e tyre janë legjitime për t’u vazhduar edhe mjete të tjera, prej bllokimeve në BeH, revolucionit klero-nacionalist në Mal të Zi e deri tek operacione të njësive paraushtarake kundër Kosovës.
Këto zgjedhje legjitimuan politikën regjionale të presidentit Vuçiq, atë të ringritjes së çështjes serbe nëpërmjet kontestimit të shteteve fqinje. Pjesë e këtij ligjërimi u bë pothuajse i tërë spektri politik në Serbi, duke e përforcuar legjitimitetin e Vuçiqit.
Koalicioni opozitar i vetëdeklaruar proevropian e quajti veten “Serbia kundër dhunës”. Emrin e mori nga protestat për vrasjes masovike të fëmijëve e të rinjve në dytë të majit në Serbi. Por, përgjatë fushatës nuk trajtoi kulturën e luftës e të dhunës të Serbisë që bashkëjeton me luftërat e zhbërjes së ish-Jugosllavisë – burimet e dhunës kolektive në Serbi e të kërcënimit për tërë regjionin. Me votat e fituara dhe emrin-kurth ky koalicion në mënyrë simbolike mund të interpretohet paradoksalisht të ketë thënë të kundërtën, se pjesa më e madhe e Serbisë nuk është kundër dhunës.
3. Serbia me shumë karrige
Diplomatë e burrështetas perëndimorë i kanë përsëritur presidentit Vuçiq se nuk mund të ulet në dy (a më shumë) karrige në politikën e vet të jashtme. Me këto zgjedhje ai demonstroi se mundet.
Serbia është vend në “rrugën evropiane”, siç e përshkruan presidenti fitues i zgjedhjeve. Rruga evropiane në vitet e fundit ka qenë, zbërthyer thjesht, shndërrimi i BE-së në bankomat nga i cili tërhiqen mjetet me premtim se ndonjë ditë do të përmbushen obligimet ndaj saj, dhe atë në mënyrë selektive.
Serbia është vend me respekt për rolin e SHBA-së dhe këtë respekt e tregon duke prodhuar municion për eksport. Në rrugëtimet e çuditshme që bën tregtia ndërkombëtare, ky municion përfundon në ushtrinë ukrainase.
Serbia është vend me dashuri për Rusinë. Kjo dashuri manifestohet me faktin se Serbia “në rrugën e saj evropiane” nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Në këmbim të kësaj dashurie, Serbia pret përkrahjen diplomatike (dhe tjetër) për politikën e saj të rihapjes së çështjes serbe nëpërmjet të kontestimit të shteteve të tjera, përfshirë edhe një anëtar të NATO-s, Mali e Zi.
Serbia është vend me admirim për Kinën. Në këtë admirim, Serbia do të donte ta shihte veten si portin e thatë të Kinës në Evropë Qendrore dhe një ëndërr të çdo fëmije të vogël që në krah të tij të ketë një vëlla të madh që nuk do të lejojë që ta ngucë kush.
Në vitet e fundit, Serbia e ka parë Evropën si treg dhe investitor të suksesshëm, SHBA-të si fuqi të patejkalueshme, Rusinë si vëllanë e madh të politikës së shteteve të papërfunduara, Kinën si fuqinë globale që do të krijojë baraspeshën me Perëndimin. Te që të gjithë, presidenti Vuçiq ka testuar me sukses mundësinë që çdonjërit t’i ofrojë atë që nuk i ofron tjetrit, e të marrë prej të gjithëve.
Kështu, Serbia e sheh veten të projektuar si pjesë e botës BRICS, një asociacioni ku ka para e tregje, por asnjë përkatësi vlerore.
4. Serbia duke pritur botën e çudirave
Zgjedhjet në Serbi nuk ishin për t’iu afruar Evropës e Amerikës, por për të projektuar shpresën e një të nesërmeje, kur Evropa dhe Amerika mund t’i ngjasojnë Serbisë.
Në BE-në e sotme pika referente për Serbinë është Viktor Orban, i cili me shtetet e tjera anëtare ndan paratë evropiane, por jo edhe vlerat. Në projeksionin e vitit 2024, pritshmëritë në Serbi mund të jenë të një ndryshimi thelbësor.
Në të, Rusia e Putinit rimerr iniciativën në Ukrainë duke e lodhur edhe këtë shtet e edhe mbështetjen e Perëndimit për të.
Në të, zgjedhjet evropiane rrisin forcat politike si ato të Orbanit, dhe këtë e dëshmoi Holanda me fitues të së djathtës ekstreme.
Dhe në të, zgjedhjet në Amerikë fitohen nga Donald Trump, duke sjellë hakmarrjen e një njeriu i cili nuk e sheh botën me sytë tradicionalë amerikanë të rendit bazuar në rregulla, por në rendin e rregullave që i vendos vetë, sipas tekeve të asaj dite.
Kjo botë e çudirave do t’i ngjasonte më shumë Serbisë së sotme, se ç’i ngjason Serbia asaj sot. Serbia që është përjashtimi i sotëm evropian e projekton veten të jetë “mainstream”, pjesë e Qendrës evropiane, apo mbase transatlantike. Ashtu siç është vendosur me komoditet në Qendër presidenti Vuçiq, së paku deri më 2027./ Koha.net