Këtë të enjte parlamenti pritet të votojë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, pas miratimit që mori në Këshillin e Mandatave ditën e hënë. Në të njëjtën kohë edhe opozita ka paralajmëruar protestë, e cila sipas demokratëve është vazhdim i mosbindjes civile në Parlament.
Tensionet kanë nisur me hyrjen e deputetëve të opozitës, të cilët garda i ka futur në skaner, kontroll të rreptë për të shmangur futjen e sendeve të paligjshme. Sali Berisha tha se qeveria do të arrestojë liderin e opozitës, por rezistenca do të vazhdojë.
“Këta të ardhme nuk kanë.
Sot kanë rreshtuar me dhjetëra gardistë dhe struken prapa tyre për të mbrojtur krimin e shëmtuar që kryejnë.
Por nesër, siç u zvarrit ati i tyre shpirtëror, do krehen edhe këta nga pushteti dhe kam bindjen më të thellë se nuk ka forcë në botë që mund t’i pengojë shqiptarët për të rivendosur në piedestal idealet dhe vullnetin e tyre të lirë.
Sot pra është një ditë beteje, në të cilën ne do qëndrojmë.
Por kjo është edhe një ditë frymëzimi për ne, sepse atë që mendojnë ky grup narkotrafikantësh, ne do e bëjmë pluhur me lëvizjen tonë të fuqishme.
Ndaj dhe thirrja o sot o kurrë për të drejtat tona, për lirinë e votës, për fitoren e opozitës” tha ai.