Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ofruar mundësinë që vitin e ardhshëm ai të shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.
Duke iu përgjigjur të dërguarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili së fundi ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti ka thënë se ai mund ta shkruajë një draftstatut në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.
Kurti ka thënë se beson që Brukseli e Lajçaku do të merren më shumë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili siç ka thënë ai, i vodhi zgjedhjet në Serbi, në vend se t’i bëjnë presion publik Kosovës “me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, thuhet në pikëne 5 të statusit të Kurtit në Facebook, në të cilin ai ka renditur gjithsej 7 pika.
Në pikën e parë të stsutsit të titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, Kurti ka shkuar se “prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim”. Në pikën e dytë ai ka kërkuar që të publikohen konkluzionet e hetimeve për sulmin në Bansjkë.