Pasi fitoi Champions League-n për herë të parë në histori në qershor, Manchester City shton dhe Kupën e Botës për Klube FIFA (FCWC) në dollapin e tyre të trofeve, duke mposhtur me lehtësi mbajtësin e Copa Libertadores, Fluminense në stadiumin “King Abdullah Sports City“ me rezultatin e pastër 4-0.
“Një mundësi që të vjen një herë në jetë” kështu ishte shprehur Pep Guardiola për finalen e madhe, një mundësi që nuk e la në asnjë moment ti ikte nga duart.
Finalja u hap shumë shpejt, që në minutën e parë argjentinasi Alvarez gjeti golin, me Fluminensen që ra në një “shok” total.
Në pjesën e parë kampionët e Europës dyfishuan avantazhin duke përfituar nga një autogol i Ninos.
Pjesa e dytë nuk pati shumë histori, me Fluminensen e cila nuk arrit të ishte në nivelin e duhur për të vënë në rrezik portën e mbrojtur nga Ederson.
Ndërkohë që Foden dhe sërisht Alvarez shënuan rezultatin përfundimtar 4-0.