Forca të mëdha policore kanë shpërndarë mbrëmë me dhunë demonstruesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në protestën e shtatë të opozitës serbe, pas zgjedhjeve të fundit. Opozita pretendon se zgjedhjet në Beograd dhe Serbi janë manipuluar nga partia në pushtet SNS e presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kërkon anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Në protestën e mbrëmshme para godinës së bashkisë në Beograd, ku ka pasur edhe dhunë fizike dhe thyerje të dritareve, u arrestuan 35 persona. Opozita akuzoi qeverinë për dhunë gjatë shpërndarjes së demonstruesve.
Incidentet filluan kur përfaqësuesit e listës opozitare “Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në ndërtesën e Bashkisë së Beogradit, në mënyrë që t’iu adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i objektit. Ata shtyn derën, por nuk arritën të hynin, pasi u parandaluan me forcë nga policia.
Një pjesë e protestuesve thyen xhamat e dyerve dhe dritave të ndërtesës. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Në vazhdim të tubimit, policia shpërndau protestuesit dhe arrestoi 35 persona.
Presidenti serb Vuçiq iu drejtua mbrëmë opinionit me fjalët se është mbajtur edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar situatën, duke theksuar se trazirat ishin nxitur nga jashtë.
Vuçiç i quajti demonstruesit “banditë”, të cilët nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit dhe tha se “ky nuk është një revolucion”. Për sot janë paralajmëruar protestat e studentëve në Beograd, të cilët do të bllokojnë për dy orë trafikun në qendër të qytetit.