Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se disa shtete aleate kanë konfirmuar përfshirjen e institucioneve më të larta shtetërore të Serbisë në sulmin e Banjskës.
Sipas Osmanit sulmi terrorist ka ardhur me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Ka hetime të përfunduara edhe nga disa shtete aleate që kanë konfirmuar përfshirjen e institucioneve më të larta shtetërore serbe (në sulmin paraushtarak Banjskë). Kjo ka ndodhur patjetër me urdhrin e institucioneve shtetërore të Serbisë. Urdhri ka ardhur nga vetë presidenti serb Vuçiq. Kjo është e dëshmuar” ka deklaruar Osmani.
Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se kanë marrë kërkesë nga aleatët që të presin edhe pak, duke shtuar se nuk i përjashtojnë mundësit që shumë shpejt do të dalin me konkluzionet rreth rastit.
“Neve na është thanë nga aleatët të presim edhe pak, sepse secili prej tyre i kanë procedurat e tyre të brendshme se kur i bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzioneve. Asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë shpejtë të dalin me konkluzione të tilla, por mos harroni ne jemi Kosova dhe ne i bëjmë vlerësimet tona. Ndërsa këta shtete i vlerësojnë ndryshe edhe kohën kur, ose interesat që kanë rajonale, apo raportet edhe me Kosovën dhe Serbinë. I kanë ata vlerësimet e tyre se kur është momenti i duhur” ka thënë ndër të tjera Osmani.