Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për çështjen e ish-ministrit Ilir Beqaj në lidhje me kompaninë farmaceutike “Delta Pharma” dhe rrjetin e farmacive Ditë e Natë.
I pyetur nëse po shkohet drejt arrestimit të Beqajt, Berisha u shpreh se “kush e tha, mos bëj shaka”.
“Kjo që po bëhet është për të shkuar drejt amnistisë së tretë për Ilir Beqajn.
Të mos bësh përgjegjës Ilir Beqajn, që ka emëruar kushëririn e tij të parë, mos gaboj me mbiemrin Byrazeri, për të bërë studimin e fizibilitetit; të mos bësh përgjegjës Ilir Beqajn, që jashtë çdo tagri ka përcaktuar me pikë kompaninë fitues të Rrapajt- që është njeriu i Ramës 100 përqind; të mos bësh përgjegjës Ilir Beqajn, i cili ka mashtruar publikisht se çmimi është dy herë më i lirë, në një kohë kur çmimi del 83 herë më i shtrenjtë; të mos bësh përgjegjës Ilir Beqajn në një kohë kur vendos t’i falë koncesionarit sterilizatorin gjigant ultramodern të blerë me 1.6 milionë euro nga paratë e shqiptarëve, t’i falësh një kat të tërë të spitalit të sapondërtuar, këto ndodhin se ajo është sipërmarrja Rama-Beqaj.”